Pas vrasjes së policit Mehmed Lika në Kaçanik, ka ardhur edhe një lëvizje e rëndësishme brenda Policisë së Kosovës. Halim Shehu nuk është më komandant i Stacionit Policor në këtë komunë. Përveç tij, nga pozita është larguar edhe shefi i hetimeve.
Policia e Kosovës ka konfirmuar për Paparacin se tashmë në pozitën e Shehut dhe shefit të hetimeve janë caktuar persona tjerë.
Siç njofton PK, vendimi për ndryshim në udhëheqjen e stacionit është marrë në kuadër të procedurave të rregullta të organizimit të brendshëm dhe sistemimit të personelit.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në rregulloret dhe procedurat e parapara, si dhe bazuar në nevojat e plotësimit të strukturës organizative dhe planifikimeve të personelit policorë, bënë sistemimin/caktimin e zyrtarëve policorë në detyra/pozita të caktuara.
Bazuar në këtë, Drejtori i Përgjithshëm i PK-së ka marrë vendim për caktim të komandantit dhe shefit të hetimeve të Stacionit Policor në Kaçanik. Policia e Kosovës në vazhdimësi bënë inspektime nga stafi menaxherial dhe njësitë kompetente lidhur me punën, detyrat dhe performancën e punonjësve, dhe varësisht nga të gjeturat ndërmerr veprimet e mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë.
Megjithëse në përgjigjen zyrtare nuk jepen arsye të drejtpërdrejta për largimin e Shehut dhe shefit te hetimeve, burime të Paparacit bëjnë të ditur se vendimi mund të ketë lidhje me ngjarjet e fundit në këtë komunë, veçanërisht me vrasjen e policit Muhamed Lika.
Rreshteri i Policisë së Kosovës në Kaçanik, Muhamed Lika u qëllua me katër plumba në hyrje të banesës së tij, më 1 prill 2025.
Më 21 prill u zhvillua një aksion i madh i Policisë ku u arrestuan Rreshteri i Policisë së Kosovës në Kaçanik, Muhamed Lika qëllohet me katër plumba në hyrje të banesës së tij.
Dorasi ishte i mitur në kohën kur kreu vrasjen. 6 të tjerë janë arrestuar për planifikimin dhe organizimin e vrasjes së policit.
Në dosjen e paraburgimit për të dyshuarin për vrasje, Rejhan Bela, thuhej se veprën e kreu i ndihmuar nga të dyshuarit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi.
Sipas dosjes, pasi rreshteri policor kishte përfunduar, orarin e punës rreth orës 22:53, rrugës për në banesën e tij, ishte përcjellë në vazhdimësi nga gjashtë të dyshuarit.
Tutje në dosje përshkruhet se pasi që rreshteri policor hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri Rejhan Bela nga mbrapa ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.
Pas kryerjes së vrasjes, i dyshuari ikën nga vendi i ngjarjes në drejtim të një lokali ku bashkohet me të dyshuarin tjetër Rilind Murati, ish-pjesëtar i FSK-së. Teksa largohen, dëgjohet një zë duke thënë “Bravo ik”.
Ndërkaq, Haki Bela rreth 14 minuta pas vrasjes kthehet në vendin e ngjarjes dhe pas dy minutave largohet.
Dorasi i dyshuar ishte i njohur për drejtësinë. Ai ishte i dënuar me masë edukative për një rast të dhunimit.
Rreshteri Muhamed Lika në fund të vitit 2023, kishte arrestuar Haki Belën nën dyshimet për përhapje të propagandës ekstremiste fetare. Dy ngjarje kishin ndodhur në Kaçanik dhe Han të Elezit.
Afishe që përhapin propagandë kundër festimit të Vitit të Ri ishin vendosur në hapësirat publike të Kaçanikut në javën e fundit të dhjetorit 2023.
Në afishe ishte shkruar: “Viti i ri nuk është festë e jona, mos festo festat e jo-muslimanëve”.
Kishte pasuar djegia e bredhit të Vitit të Ri në oborrin e Komunës së Hanit të Elezit, disa ditë më vonë. Incidenti kishte ndodhur mëngjesin e 28 dhjetorit.
Dy persona ishin arrestuar për përhapje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit mes grupeve të ndryshme.
Lika ka qenë në kryerje të detyrës së tij zyrtare kur një patrullë policore kishte zbatuar një urdhëresë të gjykatës për arrestimin e Haki Belës për rastin e pamfleteve me propagandë ekstremiste fetare./Paparaci