Shtetet e Bashkuara kanë rikonfirmuar qëllimin e tyre për të ndaluar Iranin nga zhvillimi i një arme bërthamore, duke zbatuar politikën e “presionit maksimal” përmes sanksioneve dhe duke paralajmëruar përdorimin e forcës ushtarake në rast se Teherani nuk ndalon programin e tij bërthamor.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën se çdo marrëveshje me Iranin do të kërkojë ndalimin e pasurimit të uraniumit, duke i lejuar vendit vetëm importimin e materialeve për qëllime bërthamore civile. Ai theksoi se ekziston një rrugë e qartë për një program bërthamor civil dhe paqësor, por jo për pasurim të brendshëm.
“Nëse Irani këmbëngul në pasurimin e uraniumit, atëherë do të jetë i vetmi vend në botë që nuk ka një program armësh, por vazhdon të pasurojë uraniumin. Kjo është problematike,” deklaroi Rubio në një podcast.
Megjithatë, Irani e ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë nga e drejta e tij për pasurimin e uraniumit. Një zyrtar i lartë iranian, i afërt me ekipin negociator, e cilësoi kërkesën për “pasurim zero” si të papranueshme.
I dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, deklaroi javën e kaluar se Irani nuk duhet të pasurojë uranium mbi nivelin 3.67%, një standard i vendosur nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Megjithatë, ai më vonë sqaroi se qëndrimi zyrtar i SHBA-së është që Irani duhet të ndalojë dhe eliminojë plotësisht pasurimin e uraniumit.
Rubio sqaroi gjithashtu se materiali i pasuruar që i nevojitet Iranit për programin civil mund të importohet nga jashtë, ashtu siç veprojnë shumë vende të tjera që zhvillojnë programe bërthamore paqësore.
Ndërkohë, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka paralajmëruar se Irani po përshpejton ndjeshëm pasurimin e uraniumit, duke arritur në 60% pastërti — një nivel afër atij të nevojshëm për prodhimin e armëve bërthamore (90%). Perëndimi thekson se një nivel i tillë nuk është i nevojshëm për qëllime civile, duke ngritur shqetësime për qëllimet reale të programit iranian.