Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kandidaturës së Albulena Haxhiut për postin e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk ka ndërruar emri”, u shpreh Dehari, duke konfirmuar se Haxhiu mbetet emri i propozuar nga LVV-ja. Ai po ashtu sqaroi se nuk ka thirrur ndonjë takim të ri konsultativ me partitë politike para vazhdimit të seancës konstituive të planifikuar për të premten në ora 10:00.
“Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan”, tha Dehari. Kujtojmë se një takim i tillë konsultativ ishte mbajtur edhe para fillimit të seancës së fundit të mërkurën, por nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të legjislaturës së re, që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në atë seancë, Albulena Haxhiu nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme – 61 vota – për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit. Kundër saj votuan Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa tre deputetë të Nismës Socialdemokrate abstenuan.
PDK-ja dhe AAK-ja i kanë kërkuar LVV-së të tërhiqet nga kandidatura e Haxhiut, duke e cilësuar atë si figurë jounifikuese.
E premtja shënon tentimin e gjashtë për konstituimin e Kuvendit, një proces që ka nisur më 15 prill.
Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, seanca konstituive mund të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, pa ndonjë kufizim në numrin e vazhdimeve. Kuvendi konsiderohet i konstituar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të tij.