Pasi një anëtar i stafit të OKB-së u vra, kur një kompleks i organizatës në Deir al-Balah ishte dëmtuar më 19 mars, ushtria izraelite tha se nuk e kishte goditur objektin, raporton televizioni BBC.
Megjithatë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë të enjten se të gjeturat fillestare të hetimit të tyre për incidentin treguan se trupat e tyre në të vërtetë e vranë punëtorin e OKB-së, pasi e kishin identifikuar gabimisht ndërtesën si objekt që përmbante “prani të armikut”.
Në një deklaratë, ushtria izraelite tha: “Ndërtesa u godit për shkak të pranisë së vlerësuar të armikut dhe nuk ishte identifikuar nga forcat si objekt i OKB-së.”
Të gjeturat preliminare të hetimit janë ndarë me Kombet e Bashkuara dhe më pas do të ofrohet edhe konkluzioni i plotë, thuhet më tej në deklaratë.
“Forcat Mbrojtëse të Izraelit ndiejnë keqardhje për këtë incident serioz dhe vazhdojnë të kryejnë procese të rishikimit të plotë për të nxjerrë mësime operacionale dhe për të vlerësuar masa shtesë për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen” – shtohet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
“Ne e shprehim dhimbjen tonë të thellë për humbjen dhe ia dërgojmë ngushëllimet tona familjes” – shkruhet aty.
Incidenti, në të cilin mbeti i vrarë punëtori bullgar i OKB-së, Marin Valev Marinov, dhe u lënduan pesë pjesëtarë të tjerë të personelit të kësaj organizate, ndodhi një ditë pasi Izraeli e rinisi ofensivën kundër Hamasit, pasi një armëpushim dymujor u shemb.
Ditën e sulmit, ushtria izraelite kishte thënë: “Në kundërshtim me raportimet, Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk sulmuan një kompleks të OKB-së në Deir el-Balah. Forcat Mbrojtëse të Izraelit u bëjnë thirrje mediave që të veprojnë me kujdes në lidhje me raportimet e paverifikuara.”/Nacionale