Kurti nderoi gjithashtu kujtimin e Nënës Pashke, duke vendosur lule të freskëta te guri memorial i saj, si simbol i forcës dhe qëndresës së nënave dhe familjarëve të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës.
Duke kujtuar 27 prillin e vitit 1999, kryeministri theksoi se Meja është një dëshmi e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptar. Ai theksoi se 376 shqiptarë të paarmatosur u vranë në mënyrë mizore nga forcat ushtarake, policore dhe paraushtarake të Serbisë, duke e quajtur këtë masakër si një nga ngjarjet më të rëndësishme të luftës.
Kurti përmendi gjithashtu se në mesin e viktimave ka qenë edhe një numër i madh arsimtarësh dhe nxënësish, 11 prej të cilëve humbën jetën, ndërsa trupi i shumë prej tyre u rivarros dhe u zhvarros disa herë, përfunduar në varreza masive në Serbi.
Ai theksoi se vrasësit dhe kriminelët që kryen këto krime duhet të gjykohen dhe dënohen, qoftë duke u kapur, qoftë duke u gjykuar dhe dënuar në mungesë për krimet që kanë kryer gjatë luftës në Kosovë dhe në shtetet tjera të Ballkanit.