Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se i ka dorëzuar Çelësin e Qytetit Nataša Kandić, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në fushën e drejtësisë dhe të vërtetës.
Rama e ka cilësuar Kandić si një nga “zërat e rrallë që nuk heshti, edhe kur bota zgjodhi të mbyllte sytë”. Sipas tij, me guximin dhe vendosmërinë e saj, ajo ka dhënë zë dhimbjes dhe ka nderuar viktimat, pa bërë dallim kombi apo gjuhe. Në periudhën më të errët, Nataša Kandić ka zgjedhur të qëndrojë në anën e të vërtetës, duke rrezikuar gjithçka për një ideal më të madh: dinjitetin njerëzor.
Në fjalën e tij, kryetari Rama e vlerësoi angazhimin e Kandić për drejtësinë dhe pajtimin, duke shtuar se puna dhe përkushtimi i saj janë një kujtesë e fuqishme se “pa të vërtetën, nuk ka paqe të qëndrueshme, as në Kosovë, as në rajon”.
Sot, në një ditë shumë të rëndësishme për qytetin, Prishtina e nderoi Nataša Kandić me këtë çmim, duke i thënë: “Faleminderit!”