Vendet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë një rritje të fortë të pagave, megjithëse produktiviteti i punës nuk po ndjek të njëjtin ritëm. Sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore, Bosnja dhe Hercegovina ka shënuar diferencën më të madhe midis rritjes së pagave dhe produktivitetit, ndërsa Serbia ka pasur përputhjen më të mirë, me një rritje të njëjtë prej 7% në të dy treguesit.
Nga janari 2025, rritjen më të madhe të pagës minimale e ka regjistruar Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, me një rritje prej 60%, duke arritur në 892.3 euro. Në Republikën Srpska, paga minimale u ngrit në 1,023.5 euro, pavarësisht nivelit të arsimit të punonjësve. Serbia dhe Maqedonia e Veriut regjistruan rritje respektive të pagës minimale prej 13.2% dhe 8.1%.
Mal i Zi vazhdon të mbajë pagën minimale më të lartë në rajon, ndërsa Shqipëria dhe Kosova mbeten në fund të listës, me paga minimale përkatësisht 404 euro dhe 350 euro.
Në aspektin e rritjes reale të pagave për vitin 2024, Serbia kryeson me 9.1%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 9.0%. Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina shënuan rritje rreth 8%, ndërsa Mali i Zi regjistroi 6.9%.
Banka Botërore paralajmëron se rritja e pagave në mungesë të një rritjeje të ngjashme të produktivitetit mund të dëmtojë konkurrueshmërinë ekonomike. Raporti thekson se vendet e rajonit përballen ende me sfida serioze strukturore, si pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, nivelet e larta të informalitetit dhe emigrimi i punëtorëve të kualifikuar.
Në vitin 2024, papunësia në rajon ishte mesatarisht 10.1%, me nivele më të ulëta në Shqipëri dhe Serbi (8.6%) dhe më të larta në Bosnjë dhe Hercegovinë (12.6%). Papunësia e të rinjve mbetet shqetësuese me një normë mesatare prej 25%, ndërsa pjesëmarrja e femrave në fuqinë punëtore është vetëm 45%.
Raporti thekson gjithashtu se rreziqet klimatike si nxehtësia ekstreme dhe përmbytjet po ndikojnë negativisht në produktivitetin dhe sektorët ekonomikë të ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike, si bujqësia, ndërtimi dhe turizmi.