Do ishte sikur për shembull në kompaninë Vala apo IPKO, drejtori dhe rrethi i tij të kenë qasjë në përgjimin e qytetarëve dhe të dhënave të tyre nga momenti që kanë përdorur telefonin mobil. Banka Qendrore e Kosovës po hesht për të gjitha veprimet dhe planet …
Flokët e krehura anash, fytyra e padjallëzuar dhe buzëqeshjet e shpeshta, bashkë me syzet me dioptri, tipare këto që po i mundësojnë drejtorit të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës Sami Mazreku, të mbajë në publik imazhin e një menaxheri serioz dhe të përkushtuar për tregun e sigurimeve, po shërmoqet nga vendimet e tija dhe grupit të interesit, me lidhje të fuqishme në Bankën Qendore të Kosovës.Këto vendime si përjashtimi i paligjshëm i puntëorëve nga BKS- i konfirmuar nga Inspektoriati i Punës, përfshirë dhe dy gra lehona veprimet ndaj të cilave ndalohen me ligj, zëvendësimi i tyre me fëmijë të gjykatësve të Gjykatës Themelore dhe të Apelit si dhe me familjarë të grupeve tjera të interesit me pozita të rëndësishme në institucione, nuk patën asnjë reagim institucional nga Banka Qendrore e Kosovës, institucion ky mbikqyrës i Byrosë.
Banka Qendrore zgjodhi të heshtë edhe kur mediat raportuan për mashtrimin e kompanive të sigurimeve nga ana e drejtorit të BKS, Sami Mazreku, ish drejtor i Shoqatës së Sigurimeve, i cili porositi instalimin e sistemit anti-mashtrim nga kompania Quantix që në vitin 2018, sistem që u pagua mbi 120 mijë euro dhe nuk është instaluar ende deri më sot.
Sipas kontratës, sistemi antimashtrim, që do parandalonte mashtrimet në sigurime, dëmshpërblime, rimbursime të dëmeve, do të duhej të ishte funksional që në fund të vitit 2018. Këto vendime dhe veprime të cilat kaluan ne heshtje nga BQK, e kanë inkurajuar drejtorin Mazreku dhe grupin që mbështet, fakt ky që u konfirmua nga Mazreku në një intervistë të dhënë në televizionin privat T7.
Gjatë intervesitës ai mohoi akuzat për raportin me kompaninë Quantix, largimin e punëtorëve dhe lehonave nga puna, duke bërë lojëra fjalësh dhe duke thënë se nuk ka larguar askënd nga puna, por të njejtëve nuk iu ka vazhduar kontratat. Po në të njejtën intervistë, duke iu përgjigjur deputetes Donika Kadaj Bujupi se pse nuk është funksional Sistemi Antimashtrimi paguar nga kompanitë e sigurimeve, ai pohoi se do të jetë funksional në vitin 2022, por tani nuk bëhet fjalë vetëm për sistemin antimashtrim, por për një paketë sistemesh të cilat do të marrë Byroja e Sigurimeve në pronësi direkte, sisteme këto që do të zhvillohen nga kompania Quantix. Kur ishte pyetur nga Rtklive në muajin mars, drejtori Sami Mazreku, tha se sistemi antimashtrim do ishte funksional që në muajin qershor. Ai kishte konfirmuar që nuk ishte funksional asokohe.
“Cdo herë keni pasur ankesa që Byroja nuk ka sistem të vetin, por e ka një kompani sistemin. Kur kam ardhur në Byro procedurat kanë qenë në përfundim e sipër. Ne kemi pasur kërkesë që Byroja të ketë qendrën e vet informative. Ajo që po ndodhë për herë të parë, e kemi raportuar në Bankën Qendrore dhe Bankën Botërore se BKS po bën sistem të vetin, duke përfshirë dhe kodin burimorë, Source Code. Aplikacionet që janë zhvilluar janë shtyrë për një kohë të shkurtër dhe do të zhvillohen për një kohë të shkurtër, në kuadër të sistemi të ri, që ka të bëjë me parandalimin e mashtrimit me aksidente’, tha Sami Mazreku, gjatë pyetjes direkte nga deputetja Kada se a ka dështuar sistemi antimashtrim. “Asnjëherë. Të gjitha janë të gatshme. Ne mendojmë se shumë shpejt do të bëjmë sistemin e ri të shitjes. I sigurojë që kompanitë nuk kanë asnjë lloj vërejtje, ankesë”, thotë tutje Mazreku.
Deputetja Donika Kada gjithashtu e ka pyetur për kërcënimet që kanë pasur kompanitë e sigurimeve që mos të flasin në media, fakt që është mohuar nga Mazreku, duke thënë që bëhet fjalë për punë të brendshme dhe reagime të kompanisë e cila nga 2022 nuk do ta ketë më sistemin polisave online. Këto veprime të shumta joligjore, me pasoja për kompanitë e sigurimeve, tregun e sigurimeve, punëtorët, janë injoruar plotësisht nga mbikqyrësi, Banka Qendrore e Kosovës. Sipas Ligjit mbi Sigurimet dhe Rregullores për Standardet, Mbikqyrje dhe Raportim, që derivon prej të njejtit ligj dhe është miratuar nga bordi i Bankës Qendore të Kosovës, e i cili jo vetëm projekton përcaktimin ligjor por edhe përcakton kriteret ligjore të funksionimit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe industrisë së sigurimeve në tërësi.
Mediumi publik Rtklive, prej javës së kaluar i ka dërguar pyetje Bankës Qendrore të Kosovës, por ka marrë vetëm një përgjigje që hedh topin tek Byroja e Sigurimeve të Kosovës. Pyetjet nga Rtklive kanë të bëjnë me rrezikshmërinë që mbartë plani i drejtorit Sami Mazreku dhe grupit të tij të interesit, që duan kontroll total mbi shitjen e polisave. Polisat sipas këtij projekti do të printohen në Byronë e Sigurimeve dhe do të menaxhohen nga vet ajo. Projekti përfshin dhe kontrollin e Sourse Code apo kodit burimor, kod i cili është me rëndësi kombëtare, pasi i lejon Byros së Sigurimeve menaxhimin me të dhënat personale e të gjithëqytetarëve dhe automjeteve që ata kanë në pronësi. I njejti kod në pronësi të një institucioni dhe grupi njerëzish, përbën rrezik pasi mund të përdoret për favorizim të kompanive të caktuara, dëmtimin e konkurrencës së lirë, manipulimin e të dhënave,fshirjen e tyre pa lanë gjurmë dhe raportimin e tyre sipas interesave të momentit. Duke qenë se marrja e kodit burimorë, kontrolli eskluziv i tij, posedimi i të dhënave personale të qytetarëve si dhe kontrollimi që përfshin printimin e polisave nga BKS, veprime këto që nëse bien në duart e një grupi që kontrollon një isntitucion, përbën rrezik shtetëror, përveç ndryshimeve ligjore, do të duhej të kryheshin në koordinimme ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencionin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale apo institucioneve tjera të sigurisë.
Për të gjitha këto shqetësime publike, Rtklive.com nuk mori asnjë përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës. Këto ishin pyetjet, të cilat drejtuesit e BQK nuk u përgjigjën.
1. Cili është qëllimi i dorëzimit të kodit burimor në BKS dhe Kompanitë e Sigurimeve?
2. A jeni të njoftuar se qasja në kodin burimor mundëson alternimin e procesit të shitjes së polisës së sigurimeve nga autopërgjegjësia, e që nënkupton mos deklarimin e policës, lëshimin e saj në kohë mbapa, fshehjen e të dhënave për demet, etj, gjë që në mënyrë të drejtë-për-drejtë e kompromiton një sistem me interes kaq të madh nacional?
3. A jeni të njoftuar se qasja në kodin burimor nënkupton edhe qasjen në bazën e të dhënave? Qasja në bazën e të dhënave nënkupton mundësinë e manipulimit direkt me të dhënat e qytetarëve apo kontratave të sigurimeve, duke mos lënë asnjë gjurmë për këto veprime?
4. A mendoni se e gjithë kjo fuqi dhe kompetencë për BKS dhe Kompanitë të Sigurimeve nuk do të keqpërdoret ndonjëhere për qëllime jo të mira, vecanërisht kur dihet se nuk mbetet asnjë gjurmë për çfardo keqpërdorimi eventual?
Në fakt Banka Qendrore e Kosovës, kur i intereson urdhëron jo vetëm Byronë e Sigurimeve por edhe vet kompanitë private që të veprojnë në një apo në një mënyrë tjetër. Ky fakt konfirmohet nga mbledhja e bordit ekzekutiv të Bankës Qendrore të datës 22 qershor 2020, për marrjen e masave ndaj anëtarëve të asamblesë me datë protokolli të BQK- 20.7.2020, lidhur me votimin për zgjedhjen e ish drejtorit ekzekutiv të BKS, për mandat të dytë. Asambleja vendosi që drejtorit të Byrosë të i’a vazhdojë mandatin e dytë, për katër vite të tjera. Por BQK urdhëroi që të ndjeken procedurat, me qëllim hapjen e konkursit publik për zgjedhjen e Drejtorit Ekzekutiv të Byrosë. Pas këtij urdhëri, kompanitë e sigurimeve përmes asamblesë, morën vendim që drejtorin e Shoqatës së Sigurimeve, Sami Mazreku, (shoqata u shua në të njëjtën mbledhje) ta zgjedhin për Ushtrues Detyre të Byrosë së Sigurimeve. Edhe pse Sami Mazreku u emërua fillimisht ushtrues detyre, ai më pas u emërua Drejtor Ekzekutiv me mandat katërvjeçar, pa konkurs publik. Banka Qendrore e Kosovës, e cila nuk e pranoi ish drejtorin për shkak të mungesës së konkursit, mbylli sytë për Sami Mazrekun që e licensoi, një standard ky i dyfishtë dhe në kundërshtim me ligjin.
Eksperti Ermal Sadiku: Mundësitë për manipulimin e Kodit Burimor janë të mëdha. Profesori dhe njohësi i mirë i teknologjisë informative, Ermal Sadiku duke iu përgjigjur pyetjeve të Rtklive, tha se manipulimet me Kodin Burimor janë reale, të mëdha dhe përbëjnë rrezik për gjithë vendin.
“Kodi burimor është vete aplikacioni. Qasje në të është qasje në aplikacion dhe kjo mundëson manipulimin e cdo pjese të aplikacionit. Është pak e komplikuar, sepse duhet të dihet cfarë arkitekture është përdorë për tu krijuar aplikacioni. Në përgjithësi po, nëse janë kredencialet për qasje në databazë (root) dhe ke kodin burimor, ke mundësi manipulimin e të dhënave”, tha Sadiku për Rtklive.
Sipas tij, kush ka Kodin Burimor mund të kontrollojë dhe të fshijë të dhënat. “Ekzistojnë mundësi të ndryshme të auditimit, por nëse ke qasje të privilegjuar, apo të dhëna për auditim, ato prap ruhen diku ku mund të manipulohen”, përfundoi Sadiku