Kjo fabrikë në Gjakovë, e cila gjendet vetëm 15 kilometra afër pikës kufitare në Qafë Prush, është furnizuar historikisht me lëndë të parë, import 100 përqind nga Shqipëria, në zonat e Hasit dhe Tropojës.
Për t’u vënë në funksion kjo fabrikë, drejtues të saj dhe biznesmenë të tjerë për minerale të ngurta nga Shqipëria kërkojnë që kjo rentë minerare që aplikohet nga autoritetet e Shqipërisë të hiqet në tërësi, ashtu siç ka vendosur ekzekutivi atje për përpunuesit e kromit brenda Shqipërisë.
Ekzekutivi i Shqipërisë në fillim të vitit 2021, pati ndryshuar ligjin për taksat kombëtare dhe kështu ka pezulluar renten minerare, për tre vjet zero vetëm për përpunuesit e mëtejmë të mineralit të kromit, në uzinat e ferrokromit dhe fabrikat e pasurimit të kromit.
Kjo nismë sipas qeverisë kishte ardhur për t’iu dalur në ndihmë industrisë minerare atje e cila është prekur nga efektet e pandemisë Covid-19.
Derisa, Ministria e Financave e Qeverisë së Shqipërisë dhe dogana e këtij shteti, nuk janë përgjigjur për KosovaPress lidhur me kërkesat e fabrikës së kromit në Gjakovë.
Pronari njëherësh edhe administratori i përgjithshëm i fabrikës së pasurimit të kromit në Gjakovë, Bukurosh Koçi thekson për KosovaPress, se importimi i lëndës së parë nga Shqipëria paraqet vështirësi për punën e tij në Kosovë.
Koçi thotë se taksa rentë minerare në eksport që shteti shqiptar aplikon për blerjet që bëhen nga fabrika e tij, janë shumë të larta.
Koçi shton se renta është 9 përqind mbi çmimin e referencës dhe jo për çmimin e blerjes, çka rëndon importuesin, në këtë rast fabrikën e pasurimit të kromit në Devë, në mënyrë të drejtpërdrejt.
“Në vitin 2022, në janar, ne u bëmë gati të fillojmë punën, por për arsye të mungesës së lëndës së parë ne nuk arritëm të fillojmë. Dhe shkaku tjetër është, sepse qeveria shqiptare ka vendosur një rentë për mineralin e varfër 9 për qind të vlerës së mineralit, kjo nuk është 9 për qind e faturës ose vlerës që ne e blejmë, por është më shumë, sepse bazohet tek një çmim reference që vendos një komision i caktuar nga Ministria e Financave. Sot në Qafë Prush ka mbi 20-30 mijë ton krom që nuk mund të importojmë ne, për arsye se renta është një vlerë shumë e madhe, dhe për këtë ne nuk mund ta marrim, për arsye se rezultojë me humbje. Kështu që nëse kjo rentë do të jetë më e ulët siç është në Shqipëri, e cila është bërë zero për tri vjet, ne do të ishim të gatshëm të fillojmë të blejmë dhe të vendosim fabrikën në punë. Kjo i përket pjesës së Shqipërisë”, thekson Koçi.
Investitori nga Shqipëria në Gjakovë, po kërkon nga Qeveria Shqipërisë të hiqet në tërësi renta minerare sikur për fabrikat e pasurimit të kromit që operojnë në Shqipëri.
Koçi më tej ka thënë se vënia në punë e kësaj fabrike, do t’i fuste në funksion rreth 20 miniera në zonën Hasit, Tropojës dhe Kukësit.
“Mendoj se do të ishte mirë të ishte zero renta, njësojë sikur në Shqipëri për tre vjet që është bërë zero. Dhe kjo është një ndihmë e madhe, sepse menjëherë i vuri në efiçiencë të gjitha fabrikat, ose një pjesë të madhe të këtyre fabrikave në punë”, thotë ai.
Ai ka treguar se renta paguhet vetëm një herë në blerje të lëndës së parë, por nëse miniera ose vend burimi minerar ku merret minerali, lënda e parë do të ishte marrë në territorin e Kosovës, do të paguhej në eksport referuar lëndës së parë të përdorur për prodhimin e një ton koncentrati sipas ligjeve në Kosovë.
Sipas tij, renta paguhet vetëm një herë, në rastin e fabrikës në Devë kur importon nga jashtë, në rastin e Shqipërisë, renten e paguan shitësi, pra firma shqiptare.
Edhe biznesmeni për minerale të ngurta, Hasan Meshi nga rrethina e Hasit të Shqipërisë ka fajësuar shtetin shqiptarë për vendosjen e rentës minerare, derisa ka kërkuar që ajo të hiqet.
Biznesmeni Meshi tash e tri vjet nuk ka arrit të eksportojë materialin e tij në Kosovë, përkatësisht në fabrikën e Devës, për shkak të kësaj takse. Meshit i kanë mbetur mijëra tonelata krom të varfër në pikën kufitare në Qafë Prush, prej që është rritur renta minerare.
“Këtu ndalet, renta minerare 9 për qind e çmimit referent, kjo do të thotë se më shtrenjtë me bën renta minerare se sa krejt kromi që shes unë. Përse bëhet kjo dhe kush është me faj, a e shtetit shqiptarë a i Kosovës nuk e di mirë, por më shumë i shtetit shqiptarë…Unë dua zgjidhje për këtë punë. Jam duke I paguar qe 4 vjet punëtorët dhe nuk i kam asnjë lloj borxhi shtetit askund. Dhe shteti na ka dal në pengesë shumë të madhe, në mënyrë që po detyrohemi që me mbyll biznesin… Brenda vendit për shitje të brendshme është hequr renta minerare për tri vjet, ndërsa me dërgua në Kosovë, ku kam afër 15 kilometra, për këtë çështje e kam grumbulluar unë… renta duhet të jetë zero për eksport në Kosovë. Unë për këtë çështje kam grumbulluar këtu pale sa kilometra për me dërgua në Kosovë, sepse e kam 15 kilometra fabrikën”, thotë Meshi për Kosovapress.
Biznesmeni Bukurosh Koçi po fajëson edhe autoritetet kosovare për mos dhënie të lejes për kërkim zbulim dhe shfrytëzimi për të përballuar kapacitetin e fabrikës në furnizim me lëndën e parë.
Koçi thekson se kanë bërë kërkesë për t’u pajisur me leje shfrytëzimi, por deri më sot nuk ka asnjë përgjigje nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM.
“Lidhur me pjesën e Kosovës, ne kemi disa vite që kërkojmë të marrim leje shfrytëzimi, leje kërkim zbulimi dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë leje. Kemi premtime dhe shpresojmë që kohët e fundit të kalojë një projektligj në parlament për ndryshimin e Ligjit minerar në Kosovë dhe dhënien e lejeve të kërkim zbulimit dhe shfrytëzimit. Sot në Kosovë jepen leje, por ati ndahen për kërkim zbulime dhe jo për shfrytëzim. Por, afati i këtyre lejeve është shumë i gjatë. Kjo shkon deri në 7 vjet. Nuk themi që ne do të furnizohemi me gjithë sasinë e nevojshme nga Kosova, por ajo sasi sa do e vogël të jetë, të jetë një ndihmë e madhe për sigurimin e lëndës së parë të kësaj fabrike. Kryesisht ne jemi furnizuar nga minierat në Shqipëri që i përkasin zonës së Tropojës, Hasit”, thotë ai.
Kjo fabrikë ka mbetur pasive që nga dhjetori i vitit 2019, ku pothuajse nuk ka punuar fare. Nga 45 punonjës më parë, tani vijojnë punën vetëm 5-6 punëtorë për mirëmbajtje të fabrikës.
Punëtori Valdet Asllani, i cili punon në këtë fabrikë për mirëmbajtje, thotë se administratori nga Shqipëria po i mbështet me paga, por megjithatë, dëshira e tij është që të fillojë të punojë fabrika për të gjithë punëtorët që kanë qenë në punë.
“Tash jemi katër pesë vetë, kam dëshirë me punuar të gjithë. Kërkesat janë për punë, por ta shohim tash në të ardhmen se çka po bëhet. A po ju mbështet pronari me paga? Po, po na mbështet për punën që e bëjmë, por dëshira jonë është që të fillojë të punojë fabrika për të gjithë”, theksoi ai.
Për barrierat me të cilat po përballet fabrika e kromit në Gjakovë, nuk janë përgjigjur as nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Ekonomisë dhe as nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale – KPMM.
Ndërmarrja e Re, Fabrika e pasurimit të kromit në Devë të Gjakovës, ishte riaktivizuar pas procesit të privatizimit. Kjo fabrikë posedon të gjitha licencat dhe certifikatat nga institucionet e Kosovës.