Ish-drejtori i KEK-ut në periudhën 2008-2013, Arben Gjukaj po raporton para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.
Pjesë e këtij raportimi ishin edhe ish-anëtarët e Bordit të KEK-ut, Agim Nika, Ismail Januzit, Izet Ibrahimi dhe Flamur Keqa, derisa mungoi kryetari i Bordit, Fadil Çitaku.
Gjukaj duke folur për gjendjen në të cilën e kishte marrë kompaninë nën drejtim ka thënë se ajo ka qenë shumë e rëndë.
“Kompaninë e kemi gjetur me humbje prej 56 përqind të energjisë, me furnizim 3 me 3 në Prishtinë dhe më 2 me 4 në zonat e tjera. Me prodhim 3 teravat, me 78 milionë euro të hyra dhe realisht pa qymyr. Derisa e kemi dorëzuar kompaninë në vitin 2013 me 95 përqind të inkasimit, duke i zvogëluar humbjet teknike dhe komerciale për 70 përqind. Pas dy vitesh e kemi kthyer furnizimin pa reduktime, e kemi dyfishuar prodhimin e energjisë nga 3 teravat në 6.3 teravat dhe falë një projekti kemi filluar të kemi prodhim të qymyrit me tonelata në Sibovc”, ka theksuar në fillim të raportimit Gjukaj para këtij komisioni.
Ai ka thënë se kur e kanë marrë drejtimin e KEK-ut, kompania ka qenë minus 17 milionë euro në bankë, derisa pas dorëzimit të pozitës menaxhuese e ka lënë kompaninë me 83 milionë euro plus.