Qeveria shfuqizon vendimin, ulë pagat
“Vendimi i marr paligjshëm dhe në konflikt interesi i qeverisë së kaluar në vitin 2017 për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar është shfuqizuar me 12 shkurt 2020. Ky vendim ka paraparë përjashtimin nga kthimi i pagave në gjendjen e mëparshme për sistemin gjyqësor e gjykatën kushtetuese. Marr parasysh që ishte në procedurë trajtimi nga kushtetuesja Ligji për Paga. Kushti i paraparë për përjashtim është plotësuar me nxjerrjen a aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me Ligjin e atëhershëm për Pagat”, tha kryeministri.
Kreu qeveritar tha se ky plotësim e ndryshim po bëhet për të sjellë ligjshmërinë.
“Rrjedhimisht për të sjellë ligjshmërinë plotësojmë, ndryshojmë vendimin numër 01/02 të datës 12 shkurt 2020 duke shfuqizuar nenet relevante që i referohen çështjes së diskutuar. Me këtë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në republikën e Kosovës kthehen në lartësinë e mëparshme, para datës së hyrjes në fuqi të vendimit të vitit 2017 për ngritjen e pagave për kabinetin qeveritar”, tha kryeministri.
Qeveria miraton Projektligjin e Pagave e atë për Zyrtarët Publik
Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritë jeshile dy projektligjeve atij për Zyrtarët Publik dhe Ligjit të Pagave në sektorin publik.
Kryeministri Albin Kurti tha se pas një pune të gjatë e të kujdesshme këto dy projektligje po sillen për miratim.
“I pari e vendosë në qendër zyrtarin publik dhe e bënë administratën e qasshme për të gjithë, brenda e jashtë sistemit përfshirë edhe pjesëtarët e mërgatës, ndërkaq i dyti për herë të parë krijon sistem të unifikuar të pagave dhe sjellë barazi në pagë të të punësuarit në sektorin publik. Të domosdoshëm për njëri-tjetrin, këto dy projektligje janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, e kjo reformë është pjesë thelbësore e programit qeverisës sepse është domosdoshmëri e shtetit dhe shoqërisë”, tha Kurti.
Kreu qeveritar tha se janë siguruar që të zvogëlojnë dukshëm dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët nga njëzetë herë sa është sot në më pak se pesë herë. “Askush nuk mund të paguhet më shumë se pesëfishi i pagës më të ulët në administratën tonë”, tha kryeministri.
Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se përcaktimi i pagës me pothuajse 60 akte të veçanta ka prodhuar mungesë të lartë të transparencës në shumicën e institucioneve.
“Reforma në administratë publike është e mangët pa një sistem të mirëfilltë të pagave dhe ky ligj synon të krijoj këtë sistem. kjo reformë nuk ka sesi të arrihet ndryshe përveç barazisë dhe drejtësisë”./rtklive/