Në fillim të nëntorit të këtij viti Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e gjeti fajtor dhe e gjobiti kompaninë ‘‘Sigal Uniqa Group Austria’’. 50 mijë euro ishte dënimi kundër kompanisë për, siç thuhet në vendim, shkeljen e dispozitave për sigurinë e të dhënave personale.
Sipas vendimit, ‘‘Sigal’’ që për President të Bordit mbikëqyrës për Shqipëri, Maqedoninë e Veriut e Kosovë e ka Avni Ponarin, skandali me publikimin e të dhënave private u zbulua nga një ankesë e vetme. Një klient i kompanisë që bleu një policë sigurimi të shëndetit për udhëtim dhe gjeti më vonë se të dhënat personale iu publikuan hic më pak se sa ne Google.
Hetimi i AIP-së pastaj do ta zbardhte krejt skandalin. Skandali? Nuk bëhej më fjalë për vetëm një klient. Numri i klientëve të prekur nga kjo rrjedhe e informatave nga klientët e “Sigal” e të qasshme nga kushdo në Google doli që të ishte 515 persona. Aty do të dilnin krejt të dhënat, përfshirë edhe numri i pasaportës.
‘‘Në kohën e inspektimit të web faqes së kontrolluesit, nuk është gjetur ndonjë publikim i të dhënave personale. Por, në momentin që është kërkuar në motorët e kërkimit (shfletuesit) “Google.com” dhe “Bing.com”, përmes një kërkimi të thjeshtë, duke shënuar “Porosia Shu – sigal-ks.com”, kanë filluar të shfaqen edhe të 3 dhëna të subjekteve tjera, duke bërë publike kategoritë e të dhënave, si: emri, mbiemri, data e lindjes, mosha, numri i telefonit, numri i letërnjoftimit (i cili paraqet numrin unik identifikues – numrin personal), numri i pasaportës, data e nisjes, data e kthimit dhe shuma e pagesës’’, thuhet në arsyetim të vendimit nga AIP.
Insajderi ka më shumë se dy javë që ka dërguar pyetje në kompaninë e sigurimeve “Sigal” në lidhje me skandalin e rrjedhjes në publik të të dhënave private të klientëve të saj, por në këtë kompani deri tash nuk janë përgjigjur edhe pse janë kontaktuar më shumë se një herë.
Insajderi i ka pyetur se pos pagesës së dënimit prej 50 mijë eurosh të AIP-ja, cilët kanë qenë hapat tjerë që kompania ka marrë karshi këtij rasti. A është shkarkuar, ose suspenduar dikush nga menaxhmenti. Kompania është pyetur se cili ka qenë vendimi i Bordit ndaj menaxhmentit, pas skandalit dhe se a janë kontaktuar secili veç e veç 515 personat e prekur nga rrjedhja e të dhënave nga “Sigal” e në Google. “Sigal” është pyetur nga Insajderi edhe nëse këta 515 persona të prekur nga kjo rrjedhje e informacioneve të tyre private në publik, a janë dëmshpërblyer dhe nëse po ne çfarë forme dhe sa ka qenë vlera e dëmshpërblimit. Në “Sigal” nuk janë përgjigjur as nëse pas vendimit të IAP-së janë kontaktuar nga Prokuroria.
Çka gjeti IAP të “Sigal”-i pas skandalit me të dhënat private?
AIP shqiptoi një gjobë prej 20 mijë euro kundër “Sigal Uniqa Group Austria” Sh. A., në cilësinë e kontrolluesit, për shkeljen e përgjithshme të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke ia besuar përpunimin e të dhënave personale një personi tjetër, pa lidhur kontratë me shkrim, siç parashihet në paragrafin 2 të nenit 32 të LMDhP-së.
Të njëjtit me vendim janë urdhëruar, të ndalojnë përkohësisht përpunimin e të dhënave personale përmes shitjes së produkteve në internet (online) deri në marrjen e masave dhe procedurave të nevojshme për sigurimin e të dhënave personale.
Po ashtu, shumën e përcaktuar si më sipër të njëjtit janë obliguar që ta paguajnë në afat prej 30 ditësh si dhe brenda 30 ditësh ta njoftojnë AIP-në me veprimet e ndërmarra për zbatimin e këtij vendimi.
Nuk dihet nëse kompania e ka njoftuar AOP-në, pasi që e njëjta nuk ka pranuar as të përgjigjet në pyetjeve Insajderit.