Me dyer e pllaka të vjetruara, tualeti në Stacionin e Autobusëve duket se ka kohë të gjatë që nuk është rinovuar. Por, 50 cent kushton shfrytëzimi i tij, pra çmimin më të lartë se të gjitha tualetet tjera publike në kryeqytet.
Por kjo ndërmarrje nuk është në gjendje që vetë ta menaxhojë një tualet.
Duke e quajtur lokal afarist, nga kjo ndërmarrje thonë se tualetet i janë dhënë një kompanie private në formë qiraje.
“NPL ‘Stacioni i Autobusëve’ SH.A. Prishtinë realizon të hyra vetjake, ku përveç peronizimit, parkingut të biletave, si dhe gardërobës, të hyra realizon edhe përmes hapësirave afariste që janë pjesë e ndërmarrjes. Ndër to është dhe hapësira afariste/lokali nr.3 që shfrytëzohet nga qiramarrësi N.SH. ‘DONI.A.’. Pra, duke u bazuar në atë që u tha më lart, ju njoftojmë se tualeti nuk është nën menaxhimin e NPL ‘Stacioni i Autobusëve’ SH.A. Prishtinë, por i është dhënë në shfrytëzim në formën të qirasë N.SH. ‘DONI.A.’, që njëherësh është përgjegjës për gjithë procesin e punës që lidhet me funksionimin e tualetit, si dhe me pagesën”, thuhet nga Stacioni i Autobusëve.
Në gjendje jo të mirë janë edhe ato tek nënkalimi afër Pejtonit.
Çmimi 20 centë, e brenda gjen merimanga e papastërti, por jo edhe letra të cilat nevojiten.
Madje edhe dritat nuk funksionojnë.
Në gjendje më të mirë, gjegjësisht më të pastra, janë tualetet brenda Pallatit të Rinisë, ku çmimi është 30 centë.
Megjithatë, pasi t’i pastrosh duart nuk letra për t’i terur.
Këto janë 3 tualete publike në Prishtinë të cilat ofrojnë shërbime me pagesë.
E kohëve të fundit në Prishtinë janë hapur për qytetarë tualetet e parkingut nëntokësor.
Megjithëse pa pagesë, ato ofrojnë kushte më të mira për qytetarët.
Tualete moderne, me pajisje të reja, e dhoma për ndërrimin fëmijëve, dhe tualete për invalidë gjenden në qendër të Prishtinës.
Nga “Parking Center” thonë se këto tualete momentalisht janë pa pagesë, por kjo gjë mund të ndryshohet pasi po kanë shumë dëmtime.
“Tualetet tona janë pa pagesë, edhe pse kemi pasur disa dëmtime gjatë këtyre ditëve që kemi filluar të punojmë, mirëpo po presim edhe pak dhe të shohim nëse qytetarët po vetëdijesohen që t’i ruajmë së bashku tualetet publike, pra ende nuk kemi marrë një vendim të caktuar nëse do të bëhen me pagesë ose jo, momentalisht është pa pagesë dhe mirëmbahen nga stafi i ‘Prishtina Parking’ dhe çdo dëmtim që po ndodh ne menjëherë po e riparojmë, por çdo dëmtim e ka një kohë të caktuar deri kur lejohen dëmtimet”, tha Korab Fazliu, drejtor në “Parking Center”.
Ai thotë se shpeshherë qytetarët janë të pakujdesshëm, duke treguar edhe dëmtimet më të shpeshta që po u ndodhin atyre.
“Zakonisht është hedhja e letrave në tokë, edhe pse në çdo pjesë të tualetit janë të vendosura shportat ato po hidhen në tokë. Po ka produkte të lëvizshme që po merren. Ka pasur edhe probleme të aparateve të shamponëve që po dëmtohen, edhe pse janë të forta, i kemi disa probleme që po ndodhin por nuk po e shohim të arsyeshme t’i bëjmë me pagesë”, tha Fazliu.
Qytetarët thonë se Prishtina ka nevojë për më shumë tualete publike, porse edhe mirëmbajtja duhet të jetë më e mirë.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka ndërtuar edhe një tualet publik në Parkun e qytetit, mirëpo ai është i mbyllur dhe nuk është në shërbim të qytetarëve.