Tregtia me barna vazhdon. E në mungesë të barnave në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), barnatoret dhe Depot e barnave e shfrytëzojnë rastin, për të bërë biznes e për të fituar shuma të majme parash, pasi që ato shiten me çmime shumëfish më shtrenjtë se vlera reale.
Megjithëse barnatoreve nuk u lejohet shitja e këtyre barnave të cilat gjinden në listën esenciale, pasi që të drejtën që t’i posedojë ato e ka vetëm QKUK-ja ato gjinden fare lehtë, jo shumë larg QKUK-së.
Nuk është aspak e vështirë për të zbuluar zinxhirin e funksionimit të barnatoreve dhe depove, të cilat bëjnë tregti me barna, me çmime marramendëse.
E në raste kur këto barna mungojnë, pacientet detyrohen vetë të bëjnë zgjidhje, t’i blejnë ato me çmime sado të larta, pasi që përballen me një sëmundje të rrezikshme për jetën. Pacientët të cilët vuajnë nga kanceri, janë ata të cilët pësojnë më së shumti, pasi që barnat që iu duhen për trajtim shiten me çmime tejet të larta.
Derisa barnat si “Citostatikë” e “Herceptina” nuk lejohen të shitet në tregun tonë dhe se me to mund të furnizohet vetëm QKUK-ja, por ato mund të gjinden fare lehtë.
“IndeksOnline” ka kërkuar ilaçin “Herceptinë” në barnatore dhe ka kuptuar që ai mund të sigurohet fare lehtë. Vetëm se çmimi nuk ishte i njëjtë. Për të pritur disa ditë këtë ilaç, mund ta marrësh me një çmim prej 500 euro. E nëse sigurimi i tij të duhet urgjent, atëherë pacientët duhet të paguajnë rreth 1 mijë euro.
“Tek ne mund ta porositësh por vonon disa ditë. Por çmimin e ka 500 euro. Ndërkaq që të duhet më shpejtë e ke një vend tjetër në një depo, ama aty çmimi është dyfish më i lartë, kushton 1 mijë euro “, na u tha në njërën nga barnatoret në kryeqytet.
Ndërkaq një mjek brenda QKUK-së në kushte anonimiteti i ka thënë se mjeket janë të detyruar tu thonë pacientëve t’i sigurojnë barnat për trajtim të kancerit, kur ato mungojnë në QKUK, pavarësisht sa kushtojnë ato. Sipas tij kohë më parë pacientët janë detyruar që për t’i siguruar këto barna të shkojnë në Graçanicë dhe në Serbi, por tani e kanë më të lehtë, pasi që të paktën ato i gjejnë në Kosovë.
“Është mirë që disa nga barnatoret tek ne tani i kanë këto barna si Citostatikë e Herceptinë. Pasi që pacientët të paktën nuk duhet të udhëtojnë në Serbi apo Graçanicë, për t’i siguruar ato, ashtu siç kanë bërë kohë më parë. Janë detyruar të dalin dhe jashtë Kosovës për t’i blerë” , ka thënë ai.