Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar detaje mbi projektin e ndërtimit të një spitali të ri në Prishtinë. Përmes një videoje të publikuar, Abdixhiku premtoi një qasje moderne ndaj infrastrukturës shëndetësore, duke theksuar nevojën për një spital që përmbush standardet e kohës.
“Do të ndërtojmë një spital të ri, në një lokacion të ri, në një hapësirë prej 150 mijë metra katrorë. Të gjitha 38 klinikat aktuale do të vendosen në ambiente të reja dhe me pajisje të teknologjisë më të avancuar,” deklaroi Abdixhiku.
Ai kritikoi praktikat e meremetimit të objekteve të vjetruara, duke nënvizuar se ato nuk plotësojnë më nevojat e qytetarëve. “Kot meremeton diçka të ndërtuar para 60 vjetësh. Si një gjeneratë e re, duhet të ndërtojmë një spital modern që i shërben qytetarëve të vitit 2025 e tutje, jo standardeve të vitit 1964,” theksoi kryetari i LDK-së.
Sipas Abdixhikut, projekti parashikon një investim prej 500 milionë eurosh, i cili synon të transformojë shërbimet shëndetësore në vend.
“Ky spital do të jetë simbol i përkushtimit tonë për t’u ofruar qytetarëve kujdes shëndetësor cilësor dhe një hapësirë moderne që reflekton nevojat e shekullit të 21-të,” shtoi ai.
Projektet e tilla për infrastrukturën shëndetësore janë një nga prioritetet kryesore të LDK-së, sipas Abdixhikut, i cili e sheh këtë si një hap drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve dhe forcimit të sektorit shëndetësor në Kosovë.