Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se ndryshimi politik të cilin e ka zotuar do të vazhdojë.
Pas regjistrimit të deputetëve të LDK-së në Kuvendin e Kosovës të premten, Abdixhiku tha se deputetët e legjislaturës së re do të punojnë për ndryshim.
“Teksa shoh grupin në këtë përbërje, reflektim i 171 mijë votuesve tanë, teksa shoh se si gjysma e tyre janë këtu për herë të parë, e të tjerë me kaq shumë përvojë – deri në shtatë mandate – e kuptoj qartë dhe mesazhin e votuesve tanë. Do ta nderojmë këtë mesazh me punë, dinjitet e me mbajtje të fjalës”, tha ai.
Sipas Abdixhikut, asnjë pazar nuk mund ta ndalë LDK-në.
“Ndryshimi vazhdon. Fort! Pa ndalë! LDK-në që e keni kërkuar do ta keni; dhe asnjë agjendë, asnjë përpjekje e asnjë pazar s’mund ta ndalë! LDK, votuesi e populli, po bëhen një. Demokraci; demokraci dhe asgjë më pak se kaq!”, shtoi Abdixhiku.