Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ritheksuar qëndrimin e partisë së tij lidhur me mundësinë e pjesëmarrjes në qeverisje, duke deklaruar se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e Kryeministrit.
Gjatë një konference për media pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Abdixhiku theksoi se ky ka qenë dhe mbetet qëndrim i pandryshueshëm i partisë.
“Qëndrimi ynë elektoral e paraelektroal ka qenë se LDK-ja nuk do të jetë pjesë e asnjë qeveria pa pozitën e kryeministrit. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë tani”, tha ai.
Kreu i LDK-së gjithashtu shtoi se partia nuk mbështet formimin e një qeverie afatshkurtër, duke e lidhur stabilitetin politik me zgjidhjen e çështjes së Presidentit të Kosovës.
“Po ashtu kemi thënë se LDK nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër. Pra, pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare”, tha Abdixhiku.