Aeroporti më i madh i Londrës mbyllet për tërë ditën pas një zjarri në afërsi
Aeroporti “Heathrow” afër Londrës ka njoftuar se do të jetë i mbyllur gjatë tërë ditës së premte, pasi një zjarr shkaktoi ndërprerje të furnizimit me rrymë.
Në një deklaratë, aeroporti tha se është duke u ballafaquar me “ndërprerje domethënëse të rrymës” për shkak të zjarrit, raporton televizioni BBC.
“Për ta ruajtur sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, Heathrow di të jetë i mbyllur deri në orën 23 e 59 minuta më 21 mars” – thuhet në deklaratë.
“Pasagjerët këshillohen që të mos udhëtojnë drejt aeroportit dhe duhet ta kontaktojnë kompaninë e tyre ajrore për të dhëna të mëtejshme. Ne kërkojmë falje për shqetësimin” – thuhet më tej.
Raportohet se të paktën 1.351 fluturime për në këtë aeroport dhe nisje prej tij mund të anulohen të premten, sipas uebfaqes për përcjelljen e fluturimeve, “Flightradar24”.
Zjarri në një nënstacion të energjisë në Hayes ka lënë mbi 16.300 shtëpi pa furnizim me rrymë dhe e ka shkaktuar evakuimin e rreth 150 njerëzve nga pronat përreth tij. Shkaktari i zjarrit nuk dihet ende.