Sot, 25 janar, përfundon afati për organizatat joqeveritare, qeveritare dhe ndërkombëtare të specializuara për zgjedhje dhe të drejtat e njeriut, si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, për të dorëzuar kërkesën e tyre për të vëzhguar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka konfirmuar për RTKLive se më 20 janar ka përfunduar afati për vëzhguesit e subjekteve politike, ndërsa sot përfundon afati për vëzhguesit e organizatave të tjera.
“Sot, më 25 janar, do të përfundojë afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e vëzhguesve të OJQ-ve vendore, organizatave qeveritare dhe ndërqeveritare, përfaqësive të huaja dhe organizatave ndërkombëtare. Për të lehtësuar aplikimin, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike: https://apliko.kqz-ks.org. Pra, për dallim nga proceset e kaluara zgjedhore, aplikimi mund të bëhet online,” tha Elezi.
Afati për mediat deri më 4 shkurt
Pas afatit të sotëm, i vetmi afat i hapur që mbetet është për akreditimin e mediave. “Afati për dorëzimin e kërkesës për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare do të përfundojë më 4 shkurt. Edhe mediat mund të bëjnë aplikimin e tyre online. Deri më tani kemi pranuar dhjetëra aplikime nga mediat vendore dhe ndërkombëtare, të cilat kanë kërkuar akreditimin e qindra përfaqësuesve të tyre për të monitoruar proceset zgjedhore,” shtoi Elezi.
Numri i vëzhguesve të akredituar deri tani
Deri tani, KQZ ka akredituar vëzhguesit e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje. Nga 28 subjekte politike, 21 prej tyre kanë akredituar vëzhgues. Numri total i vëzhguesve të akredituar nga subjektet politike ka arritur më shumë se 18,000 persona.
Si bëhet aplikimi?
Për të aplikuar për akreditim, procesi përfshin dy hapa kryesorë:
- Plotësimi i të dhënave online: Përfaqësuesi i autorizuar i organizatave ose mediave duhet të plotësojë të dhënat që kërkohen në platformën elektronike: https://apliko.kqz-ks.org.
- Shqyrtimi i kërkesës: Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) shqyrton kërkesën fillestare dhe në rast miratimi, dërgon kredencialet për qasje të mëtejshme.
Për informacione dhe ndihmë shtesë, të interesuarit mund të kontaktojnë KQZ-në përmes e-mailit zyra.kqz@kqz-ks.org ose numrit të telefonit +383 38 200 81 010 nga ora 08:00 deri në 16:00.