Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka dënuar gjuhën seksiste dhe denigruese të përdorur nga këshilltari i kryetarit të Prishtinës, Visar Geci, ndaj gazetares së KOHA-s, Meridiana Statovci.
Në reagimin e AGK-së të enjten thuhet se sulmi verbal ka ardhur pas raportimeve të gazetares mbi punimet në rrugën “Xhorxh Bush” në kryeqytet.
Organizata e gazetarëve e cilëson këtë gjuhë të papranueshme dhe kërkon nga kryetari Përparim Rama që të distancohet publikisht nga deklaratat e këshilltarit të tij.
AGK-ja thekson se sulmet e tilla vështirësojnë punën e gazetareve dhe krijojnë mjedis të pasigurt, veçanërisht kur drejtohen ndaj grave në media, duke u përpjekur të minojnë punën dhe integritetin e tyre profesional. AGK-ja u ka bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë civile që të dënojnë gjuhën denigruese dhe të mbështesin lirinë e medias në Kosovë.