Katër persona të nacionalitetit serb janë arrestuar të shtunën në Gjakovë, në një operacion të realizuar nga Policia e Kosovës, rreth orës 18:00. Burimet e Gazetës Demos konfirmojnë se gjatë kontrollit të realizuar në automjetin e të arrestuarve, janë gjetur armë pa leje dhe një shumë e konsiderueshme parash.
Sipas informacioneve fillestare, qëllimi i udhëtimit të këtyre individëve në Gjakovë ende nuk është i qartë, por dyshimet janë se ata mund të kenë lidhje me Agjencinë e Sigurimit të Inteligjencës të Serbisë (BIA).
Gazeta Demos ka mësuar edhe identitetin e të arrestuarve, por për arsye të hetimeve në vazhdim, ata do të publikohen për momentin vetëm me iniciale dhe vitin e lindjes.
Për më tepër, autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar më shumë detaje në lidhje me motivet dhe mundësinë e lidhjeve të këtyre personave me grupe të tjera të mundshme jashtë shtetit.