Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e një personi pas tragjedisë që ndodhi në një kantier ndërtimi në Veternik të Prishtinës. Në ngjarje, shembja e dheut ka shkaktuar vdekjen e një punëtori dhe lëndimin e tjetrit, i cili ndodhet i shtruar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas informacionit nga Policia e Kosovës, incidenti ndodhi më 5 prill 2025, rreth orës 12:00, kur dy punëtorë kosovarë u mbuluan nga dheu gjatë punimeve në një objekt në ndërtim. Njësitë e policisë dhe urgjenca arritën në vendngjarje, ku mundën të nxjerrin të dy personat nga gropa. Pas ofrimit të tretmanit mjekësor, njëri nga punëtorët nuk ia doli të mbijetonte dhe vdiq për shkak të plagëve të marra. I lënduari tjetër është transportuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.
Në lidhje me këtë ngjarje, Policia ka arrestuar një person, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Hetimet për këtë rast vazhdojnë.