Komuna e Prishtinës është deklaruar pas reagimeve për çmimet e larta që do të aplikohen në parkingun nëntokësor.
Përmes një komunikate, është arsyetuar me faktin se në këtë projekt kanë të bëjnë me partneritet publiko-privat dhe se komuna nuk është pronare e plotë e parkingut.
Sipas komunës përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh “investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime”.
“Duam t’Ju rikujtojmë, se në parkingjet të cilat janë pronë e NP “Prishtina Parking”, rrjedhimisht Komunës së Prishtinës, çmimet për parking janë shumë më të lira.
Mirëpo, në rastin e Parkingut Nëntokësor, kemi të bëjmë me Partneritet Publiko-Privat, ku Komuna nuk është pronare e plotë e parkingut” – thuhet në komunikatë.
“Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta”- thekson Komuna.
Komuna thotë se qëllimi i këtij parkingu është të shërbejë si stacion i përkohshëm parkimi për vizitorët e Zonës 1 – “Qendra”, dhe shton se Komuna e Prishtinës vazhdon të inkurajojë ecjen në këmbë dhe përdorimin e transportit publik për të mirën e ambientit dhe gjithë qytetarëve të Prishtinës.
“Ky parking, me rreth 600 vendparkingje, synon të reduktojë dukshëm qarkullimin e veturave në qendër të qytetit, përfshirë edhe lirimin e trotuareve për këmbësorë” – thuhet në njoftim.