Një lajm tronditës ka dalë nga burimet e mediave ruse, sipas të cilave ish-presidenti sirian Bashar al-Assad mund të jetë helmuar. Ky informacion është publikuar nga kanali Telegram “General SVR”, i cili pretendohet se drejtohet nga një ish-zyrtar i lartë i shërbimit inteligjent rus.
Sipas “General SVR”, Assad, i cili aktualisht ndodhet në mërgim në Moskë nën mbrojtjen e presidentit rus Vladimir Putin që nga 8 dhjetori 2024, kërkoi ndihmë mjekësore pas një episodi të rëndë të problemeve me frymëmarrjen. Ngjarja ka ndodhur të dielën, më 29 dhjetor 2024, kur Assad papritmas filloi të kollitej rëndë dhe të mbytej.
Dyshimet për helmim
Kremlini u informua menjëherë për përkeqësimin e gjendjes së Assadit, dhe ai u urdhërua të trajtohej në kushte shtëpiake. Sipas raportimeve, gjendja e tij u stabilizua të nesërmen, por mjekët identifikuan gjurmë helmi në gjakun e tij.
Kanali “General SVR” shton se ndihmësi i ngushtë i presidentit Putin, Nikolai Patrushev, është informuar për situatën dhe një hetim i hollësishëm është duke u zhvilluar për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.
“Ekziston dyshimi i justifikuar se bëhet fjalë për një atentat,” thuhet në postimin e publikuar në Telegram.
Mungesa e konfirmimeve zyrtare
Deri më tani, Moska nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këto raportime. Dyshimet për një atentat ndaj Assadit kanë ngjallur interes të madh mediatik dhe spekulime për prapaskenat e mundshme politike që mund të kenë çuar në këtë incident të rëndë.
Ngjarja po ndiqet me vëmendje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Kremlini do të japë një deklaratë zyrtare për të hedhur dritë mbi këtë çështje.