Omudspersoni i Dhomave të Specializuara të Kosovës apo siç njihet ndryshe edhe me termin Avokati i Popullit, Pietro Spera, ka folur në një intervistë për T7 lidhur me procesin e gjykimit që po ndodh në Hagë, për ankesat e të paraburgosurve rreth procesit gjyqsor dhe vendimet që institucioni i Omudspersonit ka ndërmarrë. Spera ka thënë se ankesat më të shpeshta të paraburgosurve kanë të bëjnë me ushqimin dhe keqkuptimet me rregullat e burgut. Ai, ndër të tjera është pyetur, për refuzimin që i është bërë 3 herë Hashim Thaçit për ta vizituar babanë sa ishte sëmurë, e po ashtu për vizitat humanitare që i janë mohuar Nasim Haradinaj sa ishte në burg. Në këtë intervistë, avokati i popullit është pyetur edhe për ankesat që kanë të akuzuarit e Hagës ndaj gjykatësve dhe rolin që duhet ta ketë Ombudspersoni në situata të tilla.
T7: Kur i referoheni vetës si “Avokat i Popullit”, çka keni parasysh? Cilin popull? Kush është “populli” të cilit ua mbroni të drejtat?
Spera: Roli dhe funksioni im janë të përcaktuar qartë në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Unë veproj në mënyrë të pavarur për të monitoruar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të personave që ndërveprojnë me strukturën administrative të Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Megjithatë, unë nuk mund të ndërhyj në proceset gjyqësore që zhvillohen. Të drejtat themelore të të akuzuarve në gjykim janë kompetencë vetëm e gjykatës dhe është roli i gjykatës që të garantojë mbrojtjen e të drejtave të tyre gjatë proceseve gjyqësore.
T7: Nëse “populli” janë ish eprorët e UÇK-së, që mbahen në paraburgim, ata muaj më parë, kanë dërguar letër në adresë të gjykatësve duke hedhur dyshime për pavarësinë e tyre. Ju si Avokat i Popullit, çfarë keni bërë për të garantuar të drejtat e të akuzuarve për një gjykim fer dhe të paanshëm?
Spera: Siç e shpjegova tashmë, Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në proceset gjyqësore. Asnjë Avokat i Popullit nuk mund të ndërhyjë në proceset gjyqësore të shtetit të vet. Të drejtat e të akuzuarve për gjykim të drejtë janë kompetencë e gjykatave dhe, në lidhje me rastin konkret që përmendët, me sa kam dijeni, ekziston një vendim i Trupit Gjykues që është në dispozicion për publikun në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara, ku u jepet përgjigje me hollësi shqetësimeve të shprehura nga ekipet e Mbrojtjes.
Megjithatë, në përgjithësi, gjykatësit e Gjykatës përzgjidhen nga radhët e juristëve me shumë përvojë nga shtete me sistem ligjor të avancuar dhe ata nuk kanë aspak lidhje me mjedisin shtetëror dhe politik në Kosovë. Këto karakteristika shërbejnë si garanci për pavarësinë e gjykatësve dhe të vetë Gjykatës dhe për drejtësinë dhe paanësinë e gjykimeve.
T7: Meqenëse Avokati i Popullit nuk ndërhyn në çështje gjyqësore, përveçse në raste vonesash të paarsyeshme, cili ka qenë reagimi i Avokatit të Popullit, për stërzgjatjen e fillimit të procesit gjyqësor dhe mbajtjen në paraburgim për më shumë se 5 vite të të akuzuarve në Hagë?
Spera: Së pari, më lejoni të trajtoj aspektin e paraburgimit të të akuzuarve. Në të gjitha shoqëritë demokratike, gjykatat vendosin nëse vazhdimi i paraburgimit i një të akuzuari është i domosdoshëm apo jo, dhe kriteret për këtë përcaktohen qartë në kornizën ligjore në fuqi. Si Avokat i Popullit, unë nuk kam asnjë rol në këtë proces dhe nuk mund të ndërhyj në asnjë vendim që merr gjykata në lidhje me urdhrat për paraburgim.
Roli im sa i përket paraburgimit të të akuzuarve në Dhomat e Specializuara të Kosovës është që të monitoroj kushtet e paraburgimit, gjë që unë e bëj rregullisht.
Sa i përket aspektit të vonesës së paarsyeshme, ndonëse, siç shpjegova, nuk mund të shpreh mendim mbi çështjet gjyqësore konkrete që po zhvillohen, përgjithësisht vlerësimi i arsyeshmërisë së kohëzgjatjes së një procesi gjyqësor duhet të bazohet në vlerësimin e përgjithshëm të procesit në tërësi, bazuar në rrethanat e secilës çështje gjyqësore. Për këtë qëllim duhet t’u kushtohet vëmendja e duhur kritereve të përcaktuara në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në veçanti, kompleksitetit të çështjes, sjelljes së palëve dhe sjelljes së autoriteteve kompetente.
T7: A ka shumë ankesa që vijnë nga të paraburgosurit në Hagë?
Spera: Zyra ime ka marrë dy kërkesa zyrtare me shkrim në emër të të paraburgosurve. Në përgjithësi, kritikat që marr nga të paraburgosurit shprehen gjatë takimeve që kam me ta. Ato zakonisht kanë të bëjnë me ushqimin ose keqkuptime në lidhje me rregullat e paraburgimit. Deri më sot këto aspekte i kemi zgjidhur nëpërmjet dialogut me instancat përkatëse.
T7: Për çka ankohen kryesisht?
Spera: Në vitin 2020, u dorëzua një ankesë zyrtare në emër të z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi. Ankesa përbëhej nga disa elemente dhe unë analizova secilin element dhe hartova një raport lidhur me të. Shumë nga elementet e kësaj ankese kishin të bënin me vetë procesin e gjyqësor, gjë që siç shpjegova tashmë, nuk përfshihet në juridiksionin tim. Elementet e tjera të ankesës lidheshin me aspekte administrative dhe unë i trajtova ato. Po kështu, kam marrë edhe një ankesë zyrtare në emër të z. Januzi, z. Kilaj, z. Shala dhe z. Bahtijari në lidhje me Rregulloren për Ndihmë Juridike.
Kritika të tjera që paraqesin të paraburgosurit janë të llojit më pak zyrtar, si ankesa për cilësinë e ushqimit, fakti që disa artikuj nuk janë të disponueshme për t’u blerë nga të paraburgosurit, koha e kaluar jashtë në oborrin për ushtrime, qasja në disa media etj. Këto aspekte unë i diskutoj me autoritetet përkatëse dhe në shumicën e rasteve ato zgjidhen.
T7: Cilat ankesa i keni cilësuar si të pabaza?
Spera: Deri më sot, më janë paraqitur 34 ankesa me shkrim. Gjysmën e këtyre ankesave i kam hedhur poshtë mbi bazën se parashtruesit e ankesave nuk argumentuan ose nuk vërtetuan se DHSK-ja ose ZPS-ja kishin lidhje, në çfarëdo cilësie, me aspektin për të cilin ankoheshin. Parashtruesit e ankesave u njoftuan për rezultatin e ankesës, si edhe iu dha arsyetimi i plotë i vendimit të marrë nga Avokati i Popullit. Në vitin 2024, për shembull, mora gjashtë ankesa. Nga këto gjashtë ankesa, tri u hodhën poshtë nga Avokati i Popullit sepse nuk kishin të bënin aspak me DHSK-në ose ZPS-në.
Tri ankesat e tjera u dorëzuan në emër të zotërinjve Januzi, Kilaj, Shala dhe Bahtijari. Siç e përmenda, këto ankesa kishin të bënin me Rregulloren për Ndihmë Juridike. Unë publikoj raporte për të gjitha ankesat e marra që kanë të bëjnë me DHSK-në ose ZPS-në. Krahas kësaj, publikoj edhe përmbledhje të ankesave të tjera të marra, të cilat u hodhën poshtë sepse nuk përmbanin pretendime për shkelje të të drejtave themelore nga DHSK-ja apo ZPS-ja.
T7: Cilat i keni trajtuar dhe u keni dhënë të drejtë të paraburgosurve?
Spera: Sa u përket dy ankesave zyrtare të paraqitura nga të paraburgosurit, unë i hodha poshtë ato, për shkak se nuk demonstruan shkelje të të drejtave themelore të tyre, ose sepse ankesat nuk lidheshin drejtpërdrejt me procesin gjyqësor në Gjykatë.
T7: Cilat janë të drejtat që ju keni konstatuar se u janë shkelur të paraburgosurve?
Spera: Sikurse e përmenda, unë i shqyrtova ankesat e tyre dhe konstatova se nuk kanë vërtetuar se u ishin shkelur të drejtat themelore. Për më shumë hollësi, të gjitha vendimet e mia mbi ankesat janë të publikuara në faqen e internetit.
T7: A keni qenë ndonjëherë në ambientet e burgut për t’i vizituar dhe për t’i parë kushtet në të cilat qëndrojnë në paraburgim ish eprorët e UÇK-së?
Spera: Në pajtim me mandatin tim unë mund të hyj dhe të inspektoj, në çdo kohë dhe pa paralajmërim, objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, për të vlerësuar kushtet e paraburgimit. Deri më sot kam kryer 8 inspektime të tilla, si edhe një inspektim para ardhjes së secilit të paraburgosur. Krahas inspektimeve prej meje, edhe KNKK-ja kryen rregullisht inspektime dhe vizita në objektin e paraburgimit. Gjithashtu unë siguroj që, përveç këtyre inspektimeve, të gjithë të paraburgosurit të dinë se si të më kontaktojnë në çdo kohë në qoftë se kanë ankesa.
T7: Dhomat e Specializuara, kanë refuzuar tri herë t’i japin leje Hashim Thaçit, për ta vizituar babanë që e kishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore – i cili më pas edhe vdiq. Mohimi për ta parë babanë që po i vdiste, a llogaritet nga Avokati i Popullit, si mohim i drejtave njerëzore, për çka angazhohet, për t’i mbrojtur, Ombudspersoni?
Spera: Ky aspekt i takon vetëm juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe është pjesë e procedurës gjyqësore. Si Avokat i Popullit, unë nuk mund të ndërhyj në procedurat gjyqësore. Megjithatë, unë i përcjell ato dhe, sipas informacionit që kam, zotit Thaçi i janë miratuar katër vizita nën ruajtje në Kosovë, përfshirë një vizitë të shkurtër babait të tij para se të ndërronte jetë, si edhe dhe një vizitë pasi ai ndërroi jetë, për të qenë pranë familjes së ngushtë.
T7; Për dallim prej të tjerëve, Nasim Haradinaj, një ish i burgosur i cili tashmë ka përfunduar dënimin, nuk ka pasur kurrë një vizitë humanitare, ndonëse kishte gruan sëmurë me kancer dhe iu nënshtrua një operacioni të rendë, më pas vëllain po ashtu me kancer, në gjendje të rëndë e më pas edhe vdiq. Haradinaj nuk u la t’i vizitojë familjarët as sa ishin gjallë, as kur vdiqën. A keni qenë në dijeni për këtë mohim që i është bërë një të burgosuri, drejtat e të cilit ju si Avokat i Popullit, i mbroni aty?
Spera: Siç e kam thënë më parë, të drejtat e të akuzuarve janë aspekte që mbrohen nga Gjykata dhe këto të drejta janë përcaktuar qartë në Ligj. Vendimet që merren nga Gjykata janë vetëm kompetencë e saj dhe nuk përfshihen në juridiksionin tim.
T7: Ka një perceptim të (pa)bazuar këtu në Kosovë, se Dhomat e Specializuara në Hagë, me veprimet që kanë bërë me të paraburgosurit atje, kanë cenuar të drejtat e njeriut. Si mund t’i bindesh publikun kosovar për të kundërtën?
Spera: Dhomat e Specializuara të Kosovës veprojnë sipas së njëjtës kornizë për të drejtat themelore sikurse gjykatat e tjera dhe, siç e përmenda, gjykatësit ndërkombëtarë të përzgjedhur janë me përvojë dhe të pavarur. Për personat që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat themelore ofrohen nivele të shumëfishta të mbrojtjes së të drejtave. Kjo është e ngjashme në të gjitha shoqëritë demokratike. Personat e akuzuar në DHSK kanë të drejtën të apelojnë çdo urdhër apo vendim të trupit gjykues nëpërmjet apelit në shkallë të dytë, apelit në shkallë të tretë, mjeteve juridike të jashtëzakonshme dhe kërkesave referuese në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të thotë se në çdo shkallë, ka një panel tjetër që rishikon vendimin ose vendimet e paneleve të mëparshme, që është e njëjtë me të drejtat dhe mbrojtjet që kanë të gjithë të akuzuarit në gjykatat në Kosovë. Në lidhje me të drejtat themelore të personave të akuzuar, me rëndësi thelbësore është fakti se ata kanë të drejtën të apelojnë çdo vendim që mendojnë se ka shkelur të drejtat themelore të tyre. Kjo e drejtë, që njihet si e drejta për mjet juridik efektiv, jo gjithmonë çon në rezultat të favorshëm për personin. Me rëndësi është se paneli që rishikon vendimin e kundërshtuar është panel i veçantë dhe i pavarur.
Progres