Kështu, së paku, thuhet në Marrëveshjen për vizitat zyrtare, që Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në vitin 2014, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e shpjegoi vendimin e saj duke thënë se Prishtina, fillimisht, i dërgoi një kërkesë për vizitë Beogradit, së cilës ai nuk iu përgjigj, dhe tha se qasja e Kosovës ndaj vizitave zyrtare do të mbetet e bazuar në reciprocitet.
Nga Serbia nuk u dha ndonjë shpjegim se përse është refuzuar kërkesa e Çekut, por Kosova është akuzuar për “minim të drejtpërdrejtë të normalizimit të marrëdhënieve”.
Deri në publikimin e këtij artikulli, REL-i nuk mori përgjigje, por BE-ja, më herët, ka deklaruar se pret të respektohen të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për vizitat zyrtare.
Në Marrëveshjen e vitit 2014 për vizitat zyrtare thuhet se palët – nëpërmjet oficerëve ndërlidhës – do ta informojnë njëra-tjetrën për vizitat e zyrtarëve të tyre të kategorisë së parë dhe të dytë.
Në kategorinë e dytë bëjnë pjesë të gjithë ministrat tjerë, nënkryetarët e Kuvendit, drejtorët e zyrave qeveritare dhe të agjencive të sigurimit, kryetarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, prokurori publik, si dhe të gjithë personat tjerë që kanë siguri fizike, si udhëheqësit fetarë.
Oficeri ndërlidhës është ai që e ndërmjetëson procesin dhe konfirmon pranimin. Nëse nuk ka përgjigje brenda një periudhe të caktuar, vizita konsiderohet e miratuar.
Disa nga vizitat e parealizuara
Gjatë vitit të kaluar, Bashkimi Evropian reagoi në disa raste për ndalimin e vizitave, duke i bërë thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’u përmbahen marrëveshjeve të arritura.
Bashkimi Evropian, më pas, njoftoi se vizita e ministrit Sveçla ishte paralajmëruar në përputhje me Marrëveshjen për vizitat zyrtare dhe i bëri thirrje Beogradit që ta lejojë atë.
Disa ditë më vonë u ndalua edhe vizita e patriarkut serb, Porfirije, me shpjegimin e autoriteteve kosovare se vizitat nga Serbia nuk do të lejohen, derisa Beogradi zyrtar vazhdon t’i shkelë marrëveshjet e Brukselit dhe të mos e ndalojë fushatën e tij kundër Kosovës në skenën ndërkombëtare.
Por, ndërkohë, palët kanë lejuar edhe disa vizita të ndërsjella të zyrtarëve.
Dialogu në nivel të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë u bllokua prej se një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023, dhe vrau një polic.
Serbët lokalë ngritën barrikada e bënë protesta, si dhe i bojkotuan zgjedhjet lokale. Ky veprim rezultoi, pastaj, me ardhjen e kryetarëve shqiptarë në krye të katër komunave me shumicë serbe.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, deklaroi në shkurt se i ka marrë parasysh kritikat për formatin aktual të dialogut Kosovë-Serbi dhe se ajo, së bashku me Sorensenin, do t’i shqyrtojnë opsionet për ta bërë atë funksional./evropaelire.org