Bashkimi Evropian pritet të miratojë këtë vit një reformë të rëndësishme në mekanizmin e pezullimit të regjimit pa viza, duke e bërë më të lehtë ndërprerjen e përkohshme të lëvizjes së lirë për qytetarët e 61 vendeve që aktualisht gëzojnë këtë lehtësi – përfshirë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.
Propozimi, i nisur nga Komisioni Evropian që në vitin 2023, është miratuar tashmë nga Këshilli i BE-së. Parlamenti Evropian, për shkak të ngarkesës legjislative dhe zgjedhjeve të qershorit 2024, ka filluar negociatat vetëm së fundmi. Takimi i parë trepalësh mes Komisionit, Këshillit dhe Parlamentit u zhvillua javën e kaluar, me qëllim që marrëveshja të përfundojë brenda presidencës polake të Këshillit, deri në fund të qershorit. Ligji i ri pritet të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës.
Pse po forcohet mekanizmi?
BE po e trajton gjithnjë e më seriozisht liberalizimin e vizave, duke e parë si një mjet politik për të frenuar migracionin e paligjshëm dhe për të ushtruar presion diplomatik ndaj vendeve të treta. Deri tani, pezullimi i vizave ka ndodhur vetëm një herë – për shtetin e vogël të Paqësorit Jugor, Vanuatu.
Mekanizmi aktual, i aktivizuar në rastet e abuzimit si qëndrimi përtej afatit 90-ditor apo rritja e kërkesave për azil, do të zgjerohet me katër arsye të reja për pezullim:
Katër ndryshimet kryesore
-
Mospërputhje me politikën e vizave të BE-së:
Nëse një vend i tretë ofron udhëtim pa viza për shtetas të vendeve me rrezik migrimi, siç bëri Serbia në vitin 2022 me Burundi, Indinë dhe Kubën, mund të përballet me pezullim. -
Kërcënimet hibride:
Vendet që përdorin emigrantët si mjet presioni ndaj BE-së – siç janë akuzuar Rusia dhe Bjellorusia – mund të sanksionohen me pezullim të vizave. -
Shtetësia për investitorë:
Nëse një vend aplikon skema ku u jep pasaporta të huajve pa lidhje reale me shtetin, kjo mund të sjellë pezullim të vizave. -
Shkelje të të drejtave të njeriut dhe normave ndërkombëtare:
Regjimi pa viza mund të ndërpritet në rastet e shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut apo mosrespektimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare.
“Opsioni bërthamor”
Aktivizimi i mekanizmit të pezullimit mbetet në duart e Komisionit Evropian, në konsultim me shtetet anëtare, por vendimin final e merr Këshilli i BE-së përmes një shumice të kualifikuar. Edhe pse konsiderohet një “opsion bërthamor”, ai tashmë po përgatitet si një armë e fuqishme për raste ekstreme.
Këtë vit, BE vendosi të pezullojë liberalizimin e vizave vetëm për pasaportat diplomatike të Gjeorgjisë, por me ndryshimet e reja, ekziston mundësia e pezullimit të përgjithshëm për një vend të tërë.
Mekanizmi i ri synon të rrisë kontrollin dhe ndikimin e BE-së në marrëdhëniet me vendet e treta, duke e kthyer liberalizimin e vizave në një mjet të fortë politik për të promovuar rendin demokratik dhe sigurinë në kontinent.