Bashkimi Evropian ka theksuar rëndësinë që Serbia të mbetet një partnere e besueshme dhe t’i përmbahet kursit të saj strategjik, pas lajmit se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, do të udhëtojë në Moskë më 9 maj për të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores.
Në një reagim nga Brukseli më 24 prill, një përfaqësues i Komisionit Evropian tha për Radion Evropa e Lirë se BE-ja ka qenë e qartë me shtetet kandidate si Serbia, se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të vazhdojnë mbi parimin e “punës si zakonisht”, sidomos pas agresionit rus ndaj Ukrainës. Përfaqësuesi i Zyrës për Zgjerim dhe Partneritet Ndërkombëtar, Guillaume Mercier, theksoi se një qasje e tillë është e papranueshme.
Presidenti Vuçiq konfirmoi vizitën në Rusi më 23 prill, duke deklaruar se nuk do të ndryshojë qëndrim “pavarësisht presioneve”. Ai shtoi se udhëtimin do ta bëjë i vetëm dhe se në Moskë do të diskutojë me presidentin Vladimir Putin për një marrëveshje të re për furnizimin me gaz dhe për çështjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është nën sanksione amerikane për shkak të kapitalit rus.
Vuçiq tha gjithashtu se marrëdhënia e tij me Putinin ka qenë gjithmonë e hapur dhe miqësore, megjithëse jo pa dallime. Ai përjashtoi mundësinë që ushtria serbe të marrë pjesë në aktivitetin në Moskë, për të shmangur pasojat ndërkombëtare.
Ky do të jetë udhëtimi i parë i Vuçiqit në Rusi që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Vizita u paralajmërua në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me presidentin rus.
Megjithëse është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia që nga dhjetori i vitit 2021 nuk ka hapur kapituj të rinj në negociatat me BE-në. Procesi është bllokuar për shkak të refuzimit të Serbisë për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, si dhe për mungesën e progresit në sundimin e ligjit dhe dialogun me Kosovën.