Data për hapjen e negociatave mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë është konfirmuar zyrtarisht nga Presidenca polake e BE-së. Vendimi u mor sot në Bruksel me konsensusin e ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të BE-së.
Takimi, i cili do të shërbejë për hapjen e negociatave për Shqipërinë, do të përfshijë grupin e kapitullit 2, i cili trajton “Tregun e brendshëm”. Ky kapitull përfshin disa nën-kapituj, duke përfshirë lëvizjen e lirë të mallrave, lirinë e lëvizjes së punonjësve, të drejtat e kompanive dhe pronësisë intelektuale, politikën e konkurrencës, si dhe mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit.
Kapitujt e tjerë që do të shqyrtohen përmbajnë çështje kyçe si e drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime, lëvizja e lirë e kapitalit, dhe e drejta e kompanive. Hapja e këtyre kapitujve është një hap i rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Më 15 tetor, Shqipërisë iu hap grup-kapitulli i parë, që përfshin çështjet “Themelore”, si reformat në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore, si dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Më pas, më 17 dhjetor, diskutimet u hapën për grup-kapitullin e 6-të, që lidhet me marrëdhëniet e jashtme, politikën e sigurisë dhe mbrojtjen.
Po ashtu, të martën, ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së, ku Shqipëria dhe Mali i Zi janë përpara në këtë proces./ATSH