Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se qeveria e ardhshme mund të formohet vetëm nga PDK ose Lëvizja Vetëvendosje (VV). Në një takim me gazetarë dhe analistë politik, ai u shpreh se nëse nuk arrihet një marrëveshje nga njëra prej këtyre palëve, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.
Hamza sqaroi se ekzistojnë lëvizje drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, por ende nuk ka asgjë përfundimtare. Ai konfirmoi se PDK ka zhvilluar takime dhe diskutime me partitë opozitare për të eksploruar mundësinë e ndërtimit të një shumice qeverisëse, mirëpo nuk është arritur ndonjë ujdi finale.
Sipas tij, të dy blloqet politike – Vetëvendosje dhe opozita – kanë ende mundësi për të formuar qeverinë, por paralajmëroi se secila qeveri që do të formohej do të ishte “me këmbë prej qelqi”, duke aluduar në mungesën e stabilitetit politik.
Ai përjashtoi kategorikisht një koalicion të mundshëm ndërmjet PDK-së dhe VV-së, duke e quajtur një çështje të mbyllur përfundimisht. “Disponimi në partinë tonë është i qartë: ose PDK ose VV do ta formojë qeverinë”, deklaroi Hamza.
Ndër të tjera, Hamza bëri të ditur se edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) janë zhvilluar bisedime, por shtoi se kjo parti nuk ka unitet të plotë mes 20 deputetëve të saj të zgjedhur, gjë që vështirëson arritjen e një marrëveshjeje të gjerë opozitare. marre nga /gazetametro.net