Besimtarët myslimanë në Kosovë festojnë sot Fitër Bajramin, një festë shpirtërore që vjen pas muajit të shenjtë të Ramazanit, periudhë kjo e agjërimit dhe adhurimit të shtuar.
Manifestimi qendror
Manifestimi qendror i festës u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Ai filloi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Hetem ef. Sopjani. Pas faljes, vijoi programi artistik me ilahi dhe lexim pjesësh nga Kurani.
Ligjërata kryesore e manifestimit u mbajt nga Agim ef. Hyseni, anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës. Pas saj, besimtarët u bashkuan në faljen e namazit të Bajramit, të cilit i priu kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti.
Mesazhi i Myftiut të Kosovës
Hytben e Fitër Bajramit e mbajti Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili përcolli mesazhe për paqe, dashuri, harmoni dhe tolerancë ndërmjet njerëzve. Ai theksoi rëndësinë e familjes në Islam, duke u ndalur tek roli i prindërve dhe edukimi i fëmijëve.
“Normat që burojnë nga Kurani dhe hadithet e Muhamedit a.s. saktësojnë se bashkëshortët janë themeli i familjes, ndërsa prindërit janë edukatorët e parë të fëmijëve. Ata duhet t’i pajisin me edukatë dhe moral të lartë, që të rriten si individë të dobishëm për familjen dhe shoqërën,” tha Myftiu Tërnava.
Ai gjithashtu theksoi se edhe prindërit janë amanet i fëmijëve, veçanërisht kur ata arrijnë moshën e pleqërisë dhe kanë nevojë për përkujdesje.
Apel kundër dhunës dhe vrasjeve
Myftiu Tërnava u ndal gjithashtu tek fenomenet negative në shoqëri, duke bërë thirrje për ndalimin e vrasjeve dhe dhunës, duke iu referuar rasteve të fundit në Kosovë.
“Pavarësisht motiveve, vrasja është një nga gjynahet më të mëdha në Islam. Feja islame i jep rëndësi jetës së njeriut dhe mbrojtjes së saj. Kurani thotë: ‘Kush vret një njeri pa të drejtë, është sikurse të ketë vrarë të gjithë njerëzimin. Dhe kush shpëton një jetë, është sikurse të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin.’ (Kuran, 5:32)”, theksoi ai.
Myftiu bëri apel që të respektohet jeta e çdo individi dhe të ndalet dhuna ndaj të pafajshmëve.
Festimi i Fitër Bajramit vazhdoi me vizita familjare dhe aktivitete bamirësie, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e kësaj feste në kulturën islame