Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Veton Prelvukaj, ka bërë të ditur një iniciativë të re që ka për synim lehtësimin e barrës financiare për qytetarët dhe zvogëlimin e trafikut në kryeqytet.
Sipas tij, çdo qytetar që paraqet një biletë valide të udhëtimit nga një qytet i Kosovës, mund të përfitojë një biletë të integruar falas për transportin urban në Prishtinë.
“Ky proces vlen për të gjithë qytetarët dhe jo vetëm për studentët. Qëllimi është lirimi i komunikacionit dhe vetëdijesimi për përdorimin e transportit publik”, deklaroi Prelvukaj për Ekonomia Online.
Ai theksoi se iniciativa është promovuar në të gjitha mjetet e informimit, dhe dita-ditës po rritet numri i qytetarëve që përfitojnë nga kjo masë.
“Qytetari duhet ta ketë biletën si dëshmi që ka ardhur nga një qytet i caktuar. Me të, paraqitet në sportelin tonë dhe përfiton biletën e integruar falas. Kushti i vetëm është që bileta të jetë valide për atë ditë dhe e lëshuar nga ndonjë qytet brenda Kosovës”, shtoi ai.