Partitë opozitare ende nuk kanë arritur një konsensus për një bashkëpunim të mundshëm në formimin e Qeverisë, nëse një gjë të tillë nuk e bën partia fituese, Vetëvendosje. Ndërkohë, mbetet e paqartë se si do të harmonizohen qëndrimet në rast të krijimit të një shumice parlamentare.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka deklaruar se nëse Vetëvendosje nuk arrin të formojë Qeverinë, atëherë posti i kryeministrit duhet t’i takojë PDK-së si partia e dytë më e madhe.
“Ne e kemi thënë tash e sa kohë, jo vetëm si qëndrim i PDK-së, por edhe si një rend i rregulluar nga procesi legjitim zgjedhor. PDK-ja ka fituar aq mandate sa për të kërkuar pozitën e kryeministrit në rast se VV-ja dështon. Kryetari Memli Krasniqi dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza janë në takime me përfaqësues të opozitës për të përafruar qëndrimet,” ka thënë Deliu për RTV21.
Ajo theksoi se procesi mbetet i hapur dhe se do të varet nga dinamika politike në vazhdim.