Ndërtimi i ishullit të Arbërisë në lidhje me Pallatin e Rinisë do t’i kushtojë Komunës së Prishtinës 3.5 milionë euro, nga të cilat mbi 1 milion janë paguar deri më tani. Ky është vetëm një ndër projektet madhore të kryeqytetit që aktualisht kanë mbetur të pezulluara.
Projekti për ndërtimin e nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani” kap vlerën e 4.1 milionë eurove, ndërsa për zgjerimin e sheshit “Xhorxh Bush” janë planifikuar 18 milionë euro të tjera. Në total, bëhet fjalë për mbi 25 milionë euro që figurojnë të bllokuara në raportet vjetore të komunës, si pasojë e ndërprerjes së punimeve dhe vonesave në zbatim.
Ardit Dragusha nga “Demokracia Plus” thekson se, edhe pse punimet nuk kanë nisur, mjetet janë të zotuara dhe nuk mund të përdoren për projekte të tjera. “Vetëm nëse shkëputet kontrata mund të bëhet rizotimi i mjeteve, por nuk ka indikacione të tilla për momentin,” theksoi ai. Ai shton se nëse çështjet përfundojnë në gjykatë, komuna mund të detyrohet të paguajë detyrime ndaj operatorëve ekonomikë.
Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Donat Lushaku, deklaron se ndërprerja e punimeve në disa projekte është bërë qëllimshëm dhe lidhet me bllokada të natyrës politike, financiare dhe administrative. “Do t’i shtjerrim të gjitha mundësitë për t’i zgjidhur këto çështje, pasi pasojat i bartin qytetarët,” u shpreh ai.
Derisa pritet një përgjigje përfundimtare nga Ministria e Kulturës ose një vendim gjyqësor, shuma prej 25.6 milionë eurosh mbetet e paprekur dhe e pashfrytëzueshme.
Ndërkohë, Ministria e Kulturës javën e kaluar paralajmëroi hetime ndaj Kryetarit të Komunës, Përparim Rama, duke njoftuar se kërkesa për hetim tashmë është dorëzuar në organet kompetente.