Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka mirëpritur vendimin e Tribunalit të Arbitrazhit në lidhje me rastin e institucionit mikrofinanciar “IuteCredit, të cilin e ka fituar BQK.
Mehmeti ka thënë se “kjo dëshmon atë që e kemi thënë nga fillimi që vendimi i marrë ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm”.
Me këtë rast Mehmeti ka falënderuar stafin e BQK-së për punë të jashtëzakonshme në këtë proces dhe të gjitha institucionet e vendit.
“Vendimi për marrjen e licencës së institucionin mikrofinanciar ‘Iute Credit Kosovo’ Sh. A. dhe për institucionin financiar jobankar ‘Monego’, erdhi pas një varg shkeljesh të bëra në kurriz të qytetarëve”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Më tej Mehmeti ka thënë se “këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin”.
“Devijimi më shqetësues nga planet e tyre të biznesit, në bazë të të cilave kishin marrë licencën, ka të bëjë me normat e interesit që këto institucione kanë aplikuar në kredi dhe të cilat kanë rezultuar të jenë shumëfish më të larta në krahasim me normat që këto institucione kishin paraparë në dokumentacionin e aplikimit për kredi, i cili paraqet një element shumë të rëndësishëm në procesin e marrjes së vendimit për aprovimin e licencave për institucionet financiare”.
Mehmeti ka thënë se “normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend”.
“BQK mbetet e përkushtuar që të krijojë kushte për konkurrencë të shëndosh, por në të njëjtën kohë angazhohet vazhdimisht që secili institucion i licencuar të funksionoj sipas ligjeve dhe rregullave”, ka shkruar ai.
Në një deklaratë për media Mehmeti ka thënë se Kosova nuk do të ketë asnjë shpenzim, asnjë kosto financiare në këtë rast, përfshirë këtu edhe shpenzimet e avokatit që do të paguhen nga “IuteCredit.
“Kemi një konfirmim që në rastin e ‘IuteCredit’ kemi një fitore të plotë në të gjitha pikat që janë kontestuar. Republika e Kosovës nuk do të ketë asnjë shpenzim, asnjë kosto përfshirë këtu edhe shpenzimet e avokatit do të paguhen nga IuteCredit”, ka thënë ai.
Edhe kryeministri Albin Kurti, ka shkruar për fitoren e BQK-së në arbitrazh, për rastin e “IuteCredit, duke thënë se kjo e vërteton ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve.
“Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook./Telegrafi/