Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) ka vendosur të shkarkojë trajnerin Dorival Junior dhe është duke kërkuar një pasardhës të denjë për pankinën e Kombëtares. Mediat braziliane raportojnë se CBF është në negociata për të sjellë trajnerin e Real Madridit, Carlo Ancelotti, ose trajnerin e Manchester Cityt, Pep Guardiola.
Dorival Junior u shkarkua mbrëmë pas 14 muajsh në detyrë, për shkak të rezultateve të dobëta, ndërsa vendimi erdhi pas humbjes 1-4 ndaj Argjentinës, e cila ishte humbja më e rëndë e Brazilit në kualifikimet e Kupës së Botës.
Në kërkim të një trajneri të ri, CBF ka pasur prej kohësh interes për Carlo Ancelottin, por trajneri italian ka zgjatur kontratën me Real Madridin deri në fund të sezonit 2026. I kontaktuar për këto spekulime, Ancelotti i mohoi raportet, duke theksuar se ka një angazhim me Realin deri në fund të periudhës së tij në klub.
Ndërkohë, edhe Pep Guardiola është në listën e opsioneve të mundshme për Brazilin. Megjithatë, për shkak të kontratës së tij me Manchester City, e cila skadon në vitin 2027, dhe deklaratave të tij të mëparshme që kanë theksuar se nuk ka ndërmend të largohet nga klubi, kalimi i tij te Kombëtarja e Brazilit duket praktikisht i pamundur.
Në mesin e kandidatëve të mundshëm për t’u emëruar trajner të Brazilit janë edhe Jorge Jesus, aktualisht trajner i Al Hilal, Abel Ferreira i Palmeiras dhe Filipe Luis i Flamengos.
Për momentin, Kombëtarja braziliane është e pesta në grupin e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, dhe shpreson të sigurojë një vend direkt në turneun që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kualifikimet do të rinisin më 4 qershor, kur Brazili do të përballet me Ekuadorin.