Presidenti i Bashkimit Evropian të Futbollit (UEFA), Aleksandar Ceferin, ka deklaruar sot se ndryshimet në sistemin e garave kanë bërë kupat evropiane më interesante dhe më tërheqëse për tifozët. Ai theksoi se fazat e grupeve në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencave tani përfshijnë nga 36 klube, dhe të gjitha ekipet janë në një grup, ndryshe nga sistemi i mëparshëm.
Në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, çdo ekip luan nga tetë ndeshje në fazën e grupeve, ndërsa në Ligën e Konferencave, çdo skuadër zhvillon gjashtë ndeshje.
“Gjithë të tjerët janë jashtëzakonisht të kënaqur me sistemin e ri të konkurrencës, përveç një pakice të zakonshme kritikësh. Ne i bëmë garat më interesante. Dita e fundit e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve ishte electrizuese, çdo gol ndryshonte gjithçka në tabelë. Ky sistem është një sukses jo vetëm për Ligën e Kampionëve, por edhe për Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencave. Sistemi me një qark është i suksesshëm dhe i jep mundësi të gjithëve të luftojnë për kualifikim,” tha Ceferin për TV Sky Sports.
Gjithashtu, ai ka komentuar edhe për kërcënimin e mundshëm nga krijimi i “Superligës”, duke thënë se ky diskutim ka mbaruar shumë kohë më parë.
“Nuk ekziston, fjala përfundimtare është dhënë shumë kohë më parë,” përfundoi Ceferin.