Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se shumë shpejt do të caktohet data e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Në një prononcim për gazetarë më 28 mars, Osmani theksoi se Presidenca ka pranuar shkresën zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pas certifikimit të rezultateve zgjedhore për votimet e 9 shkurtit.
Ajo garantoi se do të respektojë afatin ligjor për thirrjen e seancës konstituive brenda 30 ditësh dhe se ekipi i saj ligjor po analizon nevojat për përgatitjen e këtij procesi. “Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund t’ju jap një datë, sepse dua të jem e saktë, por shumë shpejt do ta keni edhe datën”, tha Osmani.
Pas certifikimit të zgjedhjeve, hapi i parë drejt formimit të institucioneve të reja është mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit. Gjatë kësaj seance, do të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, ndërsa deputetët e rinj do të bëjnë betimin. Propozimi për kryetarin e ri i takon partisë së parë në zgjedhje, Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa partitë më të mëdha politike dhe deputetët e komunitetit serb e atyre joshumicë do të propozojnë kandidatët për nënkryetarë.
Seanca konstituive do të përfundojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve, duke u realizuar sipas shumicës së votave. Sipas Rregullores së Kuvendit, ndërprerjet gjatë kësaj seance nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Vetëm pas përfundimit të seancës konstituive, Presidentja Osmani mund të vazhdojë me mandatin e saj për të caktuar partinë e parë për formimin e Qeverisë së re. Megjithatë, është në diskrecionin e saj të mandatojë edhe parti të tjera nëse partia e parë nuk arrin të sigurojë mbështetje prej 61 deputetëve për formimin e Qeverisë së re.