Ndikimi në tru dhe funksionin mendor
Dehidratimi mund të ulë ndjeshëm përqendrimin, kujtesën dhe qartësinë mendore. Hulumtimet kanë treguar se edhe humbja e vogël e lëngjeve trupore mund të çojë në ulje të kujtesës së punës dhe rritje të nivelit të stresit. Sipas mjekes Navila Awal, është e rëndësishme të pini ujë gjatë gjithë ditës, jo vetëm kur ndjeni etje.
“Kur trupit i mungojnë lëngjet, vëllimi i gjakut zvogëlohet, gjë që ndikon në furnizimin me oksigjen të trurit”, shpjegon Dr. Nadira, një tjetër specialiste e fushës. Sipas saj, kjo ulje në qarkullimin e gjakut mund të ndikojë negativisht edhe në shëndetin emocional dhe performancën mendore.
Rreziqe për shëndetin fizik
Mungesa e hidratimit lidhet me një rrezik më të lartë për goditje në tru dhe ngadalëson procesin e rikuperimit pas saj. Përveç kësaj, dehidratimi ndikon negativisht edhe në sistemin tretës. Trupi, në përpjekje për të ruajtur lëngjet, përthith më shumë ujë nga ushqimi në zorrë, duke shkaktuar kapsllëk dhe vështirësi në tretje. Rritja e konsumit të ujit mund të ndihmojë në zbutjen e këtyre simptomave.
Ndikimi në lëkurë dhe plakje
Dehidratimi mund të çojë në tharje të lëkurës dhe humbje të elasticitetit të saj. Kjo rrit shfaqjen e rrudhave dhe shenjave të tjera të plakjes së parakohshme. Pirja e mjaftueshme e ujit ndihmon në ruajtjen e lëkurës së shëndetshme dhe me shkëlqim.
Performanca fizike dhe energjia
Hidratimi ndikon drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë dhe performancën fizike. Uji është thelbësor për ruajtjen e energjisë gjatë aktivitetit fizik. “Është e rëndësishme të pini ujë para, gjatë dhe pas ushtrimeve për të shmangur lodhjen e parakohshme dhe rënien e performancës,” thekson Dr. Nadira.
Gjithashtu, mungesa e ujit mund të shkaktojë ndjesi të vazhdueshme lodhjeje. Trupi i dehidratuar duhet të punojë më shumë për të kryer funksionet bazë, gjë që çon në ndjenjën e rraskapitjes dhe mungesës së energjisë.
Kontrolli i oreksit dhe metabolizmi
Ndonjëherë, ndjenja e etjes ngatërrohet me atë të urisë, çka çon në konsum të tepërt ushqimi. Pirja e ujit para vakteve mund të ndihmojë në kontrollin e oreksit dhe ruajtjen e një metabolizmi të shëndetshëm.
Sa ujë duhet të pimë?
Sasia e rekomanduar ditore e lëngjeve varet nga mosha, gjinia dhe niveli i aktivitetit fizik. Megjithatë, në përgjithësi rekomandohet të konsumohen rreth 2 deri në 2.5 litra ujë në ditë. Kjo sasi duhet të rritet nëse jeni fizikisht aktiv, ekspozoheni ndaj temperaturave të larta, ose konsumoni rregullisht kafeinë dhe alkool.