ë Raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve 2025, Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon rolin dominant të grupeve shqiptare të krimit të organizuar në tregjet globale të drogës, por vlerëson gjithashtu angazhimin në rritje të institucioneve shqiptare, veçanërisht të SPAK-ut, në luftën kundër trafikimit dhe pastrimit të parave.
Sipas raportit, “krimi i organizuar i udhëhequr nga shqiptarët luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë”, ndërsa theksohet se këto grupe “ekspozojnë teknika komunikimi dhe pastrimi parash gjithnjë e më të sofistikuara”.
Shqiptarët operojnë në një rrjet të gjerë që përfshin BE-në, SHBA-në, Kanadanë, Amerikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë, ndërsa kanë “qasje të drejtpërdrejtë tek prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut” dhe në zinxhirin e shpërndarjes drejt Evropës.
Ekonomia shqiptare, thuhet në raport, shfrytëzohet për “pastrimin e të ardhurave nga krimi, veçanërisht përmes sektorit të ndërtimit”, duke kontribuar njëkohësisht në korrupsion dhe destabilizim të institucioneve.
Roli i SPAK: Nga retorika në rezultate të prekshme
Raporti e përmend me theks të veçantë Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila gjatë viteve 2023–2024 ka luajtur një rol aktiv në hetimin e rrjeteve ndërkombëtare kriminale.
“SPAK mori pjesë në 35 ekipe hetimore të përbashkëta në vitin 2023 dhe zgjeruan përdorimin e tyre në vitin 2024”, thekson raporti, duke përmendur ndër të tjera operacionin e përbashkët me Eurojust, Europol dhe autoritetet shqiptare, që çoi në 66 arrestime, sekuestrimin e 360 kg kokainë, 4.3 milionë dollarë para të thata dhe pasuri të tjera me vlerë 65 milionë dollarë.
Në një tjetër rast, në nëntor 2024, një operacion i përbashkët me autoritetet italiane çoi në arrestimin e 29 anëtarëve të një rrjeti shqiptar dhe sekuestrimin e aseteve dhe drogës me vlerë 74 milionë dollarë.