Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e ngërçit për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar nevojën për një zgjidhje të shpejtë.
“Jemi për të bërë zgjidhje, sa më shpejt që është e mundshme,” tha Haradinaj, para se të hynte në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.
Megjithatë, ai theksoi se përgjegjësia për zgjidhjen e kësaj çështjeje i takon Lëvizjes Vetëvendosje. “Ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje,” u shpreh ai, por shtoi se nuk vërehet vullnet nga ana e LVV-së për ta zhbllokuar situatën.
Haradinaj gjithashtu propozoi që presidentja e vendit të ftojë partitë parlamentare në një takim gjithëpërfshirës, për të diskutuar rrugën përpara.
“Do të ishte shumë e udhës që presidentja t’i ftonte partitë parlamentare në një takim,” tha ai, duke shtuar se “duket se (LVV) nuk e kanë për qëllim zhbllokimin e Kuvendit.”