Gazetari Lirim Mehmetaj ka reaguar pas një vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka shpallur fajtor një person që e kishte kërcënuar publikisht në rrjetin social Facebook. Personi në fjalë kishte deklaruar se do t’i vinte flakën Mehmetajt në shesh.
Sipas Mehmetajt, i akuzuari ka kërkuar falje në sallën e gjyqit, është shprehur i penduar dhe ka deklaruar se nuk ka qenë mirë me shëndet në momentin kur kishte bërë kërcënimin.
Në një postim të bërë pas vendimit gjyqësor, gazetari shkroi: “Mos kërcënoni në Facebook se ndryshe prej Albin Kurtit, ju dënoheni…”, duke lënë të kuptohet se personat me pushtet shpeshherë nuk mbajnë përgjegjësi për gjuhën e tyre.
Ai akuzoi zyrtarët e lartë të qeverisë për krijimin e një klime armiqësore ndaj gazetarëve, duke e quajtur kryeministrin Albin Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij si përgjegjësit kryesorë për shpërndarjen e urrejtjes.
“S’ka diskutim, fajtori i vërtetë nuk është ky e as të tillët si ky, po kryehajvani Albin Kurti bashkë me ata hajvanët e tjerë që secili gazetar që ua zbulon një hajnì, ata i kthehen me ‘ti je argat i Serbisë’,” shkroi Mehmetaj.
Ai përfundoi se çdo kërcënim ndaj gazetarëve është pasojë direkte e gjuhës agresive që përdoret nga pushteti ndaj kritikëve të tij.