Presidentja ka njoftuar se me Pratipattin kanë folur për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë hapat tutje drejt konstituimit të legjislaturës së re dhe hapat e mëtejmë institucional në përputhje me Kushtetutën.
“Presidentja e njoftoi znj. Pratipatti për letrën e saj drejtuar deputetëve lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të shtetit”.
“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, u diskutua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, gjë që përfundimisht kontribuon edhe në forcimin e paqes e stabilitetit në rajon”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se në takim u diskutua edhe për dy njohjet e reja nga Kenia dhe Sudani, gjë që sipas saj, u mirëprit si një zhvillim i rëndësishëm drejt fuqizimit të mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
“Presidentja Osmani dhe znj. Pratipatti riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim.