Pas dështimit të seancës ditën e martë, kryesuesit i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, i ka shkruar letër presidentes Vjosa Osmani, ku e njoftoi për zhvillimet e ndodhura në seancë dhe kërkoi sugjerime se si të vazhdohet tutje, transmeton Telegrafi.
E, pas letrës, presidentja citoi Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në Rastin Nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve të dala nga vota e qytetarëve.
Që nga dita e martë, përplasjet ndërmjet subjektit politik Lëvizje Vetëvendosje e cila doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe subjekteve tjera PDK, AAK dhe LDK, vazhduan ku edhe u kërkua dorëheqja dhe largimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kabinetit të tij nga Qeveria.
Por çfarë pritet të ndodhë sot në Kuvendin e Kosovës?
Telegrafi ka pyetur subjektet politike LVV, PDK, LDK dhe AAK se çfarë qëndrimi do ta kenë në seancë, por që të njëjtit deri tani nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Vlen të përmendet se ditën e martë, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë vazhdimisht se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.
Kjo situatë konsiderohet e paprecedentë në historinë parlamentare të Kosovës.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Kadri Kryeziu, në një deklaratë për Telegrafin, e ka komentuar këtë ngërç institucional dhe ka sqaruar hapat e mundshëm të mëtejmë.
“Konceptualisht, përgatitjet kanë qenë që seanca të dështojë – si nga opozita, ashtu edhe nga partia në detyrë që ka më shumë vota. Partia që ka shumicën ka edhe përgjegjësinë më të madhe, dhe është dashur të komunikojë për të mundësuar konstituimin e Kuvendit,” u shpreh Kryeziu.
Sipas tij, në bazë të nenit 12, pika 5 të Rregullores së Kuvendit, seanca nuk duhet të ndërpritet përfundimisht, por duhet të vazhdojë brenda 48 orëve.
Ai shtoi se deputetët ende nuk janë legjitimë, sepse vetëm betimi para Kuvendit i bën ata të tillë. Sipas Kryeziut, situata aktuale është thjesht procedurale dhe teknike.