Diaspora vazhdon të jetë infuzioni më i madh për shumë familje dhe biznese në Kosovë. Pavarësisht që gjatë vitit 2022, erdhën më pak mërgimtarë në Kosovë, remitencat sërish shënuan rritje për 50 milionë euro.
Sipas ekspertëve të ekonomisë dhe bizneseve fluksin e madh të bashkatdhetarëve e kanë ndierë sektori i gastronomisë dhe hotelerisë, derisa mjetet më së shumti i destinuan në patundshmëri dhe konsum.
Megjithëse, në numër erdhën më pak, nga kuleta e tyre sërish u shpenzuan shuma të majme parash, duke kaluar shifrën prej një miliardë eurosh.
Remitencat shënuan rritje për 50 milionë euro, pavarësisht që rreth 30% më pak mërgimtarë e vizituan vendlindjen gjatë vitit 2022.
Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, për dallim nga viti paraprak, më 2022, remitencat kanë shënuar rritje rreth 4 deri në 5 %.
“Remitencat nga bashkatdhetarët nga muaji janar deri në nëntor 2022 kapin vlerën e 1.1 miliardë euro, ndërkaq për periudhën e njëjtë të vitit paraprak, janar – nëntor 2021 kapin vlerën e 1 miliard eurove”, Banka Qendrore e Kosovës.
Trendi i rritjes së remitancave, sipas eksperteve të ekonomisë, do të vazhdojë edhe në vitin 2023.
Kurse, drejtori ekzekutiv i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se sidomos gastronomia dhe hoteleria e kanë ndierë dukshëm rritjen e remitencave.
Derisa, sikur në vitet e kaluara, edhe gjatë vitit 2022 diaspora mjetet më shumë i destinoi në patundshmëri dhe konsum.
Ndërkohë, gjatë vitit 2022, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka realizuar afro 22 mijë fluturime me rreth 3 milionë udhëtarë, ku numri më i udhëtarëve që kanë fluturuar drejt Prishtinës kanë qenë nga vendet si Zvicra, Gjermania, Turqia, Austria dhe Mbretëria e Bashkuar.