Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton se muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon më 29 mars 2025, dhe dita e parë e festës së Fitër Bajramit do të jetë e diel, më 30 mars 2025.
Manifestimi qendror për këtë festë do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, ku do të fillojë me faljen e namazit të sabahut në orën 05:41, udhëhequr nga Hetem ef. Sopjani. Pas namazit, do të mbajë ligjëratën Agim ef. Hyseni, anëtar i Kryesisë së BIK-ut. Namazi i Fitër Bajramit do të falet në orën 06:59, udhëhequr nga Vedat ef. Sahiti, kryeimami i BIK-ut.
Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do të drejtohet me mesazh festiv për opinionin.
Si çdo vit, Kryesia e BIK-ut do të organizojë pritje përurimi në selinë e Kryesisë nga ora 9:00 deri në 12:00.
Kryesia e BIK-ut u dëshiron besimtarëve dhe opinionit të gjerë një Fitër Bajram të gëzuar dhe lutet që Zoti të ketë pranuar agjërimin dhe lutjet tona.