Prishtinë, 26 nëntor –
Një tokë 3 hektarshe në Veterrnik në vlerë prej miliona eurove, brenda 9 muajsh përmes një dokumenti të fallsifikuar doli në emër të një grupi qytetarësh me pozita të fora në gjyqësi, prokurori dhe institucione tjera shtetërore , ndërkohë pronarët realë prej vitesh po rropateshin ta kthenin pronën në emër të tyre.
Të njejtët qytetarë me ndikim, pa asnjë problem morën edhe lejen për ndërtim banesash, siç shihet në dokumentin që ka siguruar qendra.info.
Në këtë dokument bie në sy emri i prokurorit Blerim Isufi, i cili është nominuar për kryeprokurorë por prej muajsh nuk është dekretuar nga Presidentja e vendit, drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Sami Mazrekun, këshilltari i tij, Venhar Hana , kirurgu nga Gjilani Sejdi Mahmuti i cili ndiqet nga prokuroria për vepra tjera dhe deri vonë merrte pagë 2 mijë euro në Byron Kosovare të Sigurimeve.
Skandali u bë i ditur në emisionin “Betimi për Drejtësi” qënraportoi se Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhëresë për sekuestrim të përkohshëm të rreth tre hektarëve tokë në Veternik. Policia e Kosovës ka vendosur shiritat që ndalon hyrjen në këtë pronë ku kanë nisur edhe ndërtime të objekteve të larta.
Kjo tokë pretendohet se përmes dallavereve dhe dokumenteve të falsifikuara kishte kaluar në emër tani të ndjerës Z.H. dhe më pas prona ka kaluar të djali i saj Ylber Hyseni, i cili edhe ka filluar punimet në këtë pronë.
Masa e përkohshme ka ardhur pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila ka arsyetuar se në këtë fazë të procedurës është e nevojshme që të lëshohet urdhër për sekuestrimin, pasi kjo pronë është fituar përmes dokumentit të falsifikuar.
Burime të “Betimit për Drejtësi”, brenda prokurorisë kanë bërë të ditur se personat e dyshuar për falsifikim janë arratisur dhe se tanimë gjykata ka lëshuar urdhër arrest për ta.
Në lidhje me këtë vendim të gjykatës kanë folur avokatët e të dëmtuarve Nexhat e Gursel Sadiku, avokatja Saranda Keqekolla- Sadiku dhe avokati Florim Shefqeti, të cilët janë shprehur se kjo masë ndonëse e vonuar është e drejtë dhe se edhe Policia ka dal në vend të ngjarjes.
Një ditë më parë, avokatja Saranda Keqekolla- Sadiku kishte paralajmëruar se Policia ka kërkuar që deri në të shtunën në mesiditë do largoheshin gjërat e lëvizshme nga prona e sekuestruar përkohësisht me urdhër gjykate.
“Pas daljes në publik përmes emisionit “Betimi për Drejtësi” lidhur me falsifikimin e dokumenteve të kësaj prone, atëherë prokuroria e ka marrë ma seriozisht rastin edhe pas një pune intensive dje është lëshuar urdhëresa për sekuestrim të përkohshëm, ndërsa sipas procedurave policia këtu në vend-punishte, d.m.th., në pronën në fjalë edhe ja ka caktu afatin ligjor sipas urdhrit të gjykatës që nesër deri në ora 1:00 me i largu sendet e lëvizshme, pastaj deri sa të përfundohen procedurat hetimore dhe kjo çështje penale”, ka thënë avokatja Këqekolla-Sadiku.
“Betimi për Drejtësi”, ka provuar që ta marr një qëndrim rreth kësaj çështje edhe nga kompania ndërtuese në pronën kontestuese, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.
Ndryshe, për këtë rast Betimi për Drejtësi ka hulumtuar dhe ka mbajtur një debat në emisionin Tempus. Përmes këtij hulumtimi tregohej se si Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, për të njëjtat parcela kishte zhvilluar disa procedura gjyqësore në të njëjtën kohë dhe për lëndën e Nexhat e Gursel Sadiku kishte vendosur pas 7 vjetësh ndërsa në rastin e Z.H vetëm për 9 muaj, duke e bërë edhe pronare të këtyre parcelave.
Familja Sadiku kishte thënë se kjo pronë është e tyre për gati një shekull dhe se përmes ekspertizave kanë gjetur se dokumentet me të cilat Z.H. i kishte kaluar në emër të saj janë të falsifikuara dhe se përmes vendimeve të kundërligjshme, atyre iu janë marrë rreth 3 hektarë tokë në Veternik, vlera e të cilave kap shifra të mëdha. Sipas tyre, të përfshirë në këto dallavere janë zyrtarë e persona me ndikim, përfshirë gjykatës, prokurorë, policë, avokatë si dhe zyrtarë të tjerë.