Dy vjet pas skandalit të korrupsionit në Katargate, Parlamenti Evropian është përfshirë në një tjetër aferë, këtë herë të lidhur me gjigantin kinez të telekomunikacionit, Huawei. Policia belge ka realizuar kohët e fundit kontrolle në zyra dhe shtëpi të disa lobistëve të kompanive kineze, të cilët dyshohen për dhënien e ryshfetit ndaj ish-deputetëve dhe deputetëve aktualë të Parlamentit Evropian, raportojnë mediat belge.
Si pjesë e hetimeve, autoritetet belge kanë arrestuar disa persona për t’i marrë në pyetje lidhur me përfshirjen e mundshme në korrupsion, duke përfshirë dyshimet për ryshfetin në Parlamentin Evropian. Zyra e Prokurorisë Federale belge konfirmoi për mediat se hetimet përfshinin 21 adresa në Bruksel, në rajonet e Flandrës dhe Wallonisë, si dhe në Portugali, ku janë sekuestruar dokumente dhe objekte të ndryshme. Asnjë kontroll nuk është kryer në Parlamentin Evropian.
Hetuesit po kërkojnë prova për shkelje ligjore të mundshme nga ana e përfaqësuesve të Huawei gjatë lobimit të anëtarëve të Parlamentit Evropian. Burime të afërta me hetimin kanë pohuar se ata po hetojnë rreth 15 ish-deputetë dhe aktualë për korrupsion të mundshëm, në këmbim të mbështetjes politike në Bashkimin Evropian. Hetimet kanë nisur dy vjet më parë, pas informacionit të marrë nga Shërbimi Sekret belg.
Korrupsioni dyshohet të ketë ndodhur në mënyrë të fshehtë dhe të organizuar që nga viti 2021, nën maskën e lobimit tregtar, përfshirë pagesa për marrjen e posteve politike dhe dhurata si ftesa për ndeshje futbolli ose rimbursime për shpenzime udhëtimi e ngrënie.
Në qendër të hetimeve është drejtori i marrëdhënieve publike të Huawei në BE, një ish-asistent parlamentar i dy ish-deputetëve italianë. Kjo vjen pas debatit të vazhdueshëm në Evropë për përdorimin e teknologjisë kineze në rrjetet celulare, ku kritikët theksojnë rreziqet e mundshme të sigurisë që mund të vijnë nga ndikimi i Kinës përmes kompanisë.
Parlamenti Evropian ka deklaruar se është në dijeni të hetimeve dhe është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet gjyqësore nëse është e nevojshme.
Komisioni Evropian gjithashtu ka shprehur qëndrimin e tij duke theksuar rëndësinë e sigurisë së rrjeteve 5G për ekonominë evropiane. Ata kanë vlerësuar se Huawei ka një rrezik më të madh krahasuar me furnizuesit e tjerë 5G. Hetimet e fundit e rikujtojnë skandalin e ryshfetit të vitit 2022, ku u zbuluan përpjekjet e Katarit dhe Marokut për të ndikuar në vendimet e eurodeputetëve.
Organizata Transparency International ka deklaruar se skandali me Huawei nuk është një befasi, duke shtuar se akuzat për ryshfet tregojnë se Parlamenti Evropian nuk ka nxjerrë mësime nga skandalet e kaluara. Ajo thekson se, megjithë mundësinë për të implementuar reforma të thella pas Katargate, eurodeputetët kanë miratuar reforma të dobëta dhe kozmetike.