Në një ngjarje të papritur dhe të tensionuar, futbollistët dhe stafi i KF Tërnoci janë dërguar në Stacionin e Policisë në Bosilegrad për të u marrë në pyetje pas një bastisjeje të paprecedentë. Ky incident ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes futbollistike ndërmjet ekipit të KF Tërnoci dhe KF Mlladost, ku, sipas burimeve të FOLonline, pas ndeshjes që përfundoi me rezultatin 2-1 për vendasit, policia ka ndërhyrë dhe ka bastisur futbollistët në zhveshtore.
Mësohet se pas ndeshjes, ndërhyrja e forcave policore ka qenë e dhunshme, duke përfshirë edhe goditjen e një futbollisti të ekipit të Tërnocit, ndërsa më pas ata janë futur në zhveshtore dhe kanë bastisur çantat dhe gjësendet personale të lojtarëve. Kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim dhe ka sjellë reagime të shumta, pasi një ndërhyrje e tillë nga policia në një ambiente sportive është shumë e rrallë.
Ky nuk është rasti i parë kur policia ka ndërhyrë në ndeshje futbollistike të tilla. Një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur në vitin 2014, kur policia serbe bastisi gjësendet e futbollistëve të Shqipërisë në ndeshjen kundër Serbisë të zhvilluar në Beograd, që u ndërpre pas incidentit me dronin. Pavarësisht tensioneve, ende nuk janë zbuluar arsyet e plota të bastisjes dhe ndalimit të futbollistëve të KF Tërnoci.
Duke pasur parasysh ngjarjet e tensionuara gjatë ndeshjes, hetimet do të vijojnë për të sqaruar shkakun e kësaj ndërhyrjeje të papritur nga policia në një aktivitet sportiv.