Eugen Cakolli, ekspert i zgjedhjeve nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka sqaruar përmes rrjetit social Facebook se Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuara të gjitha ankesat ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Ky vendim i hap rrugë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, që pritet të ndodhë më së largu deri nesër.
Cakolli theksoi se ky zhvillim do të ndikojë në veprime të tjera, duke përfshirë dorëheqjen e anëtarëve të Qeverisë që kanë fituar mandat deputeti. Ata duhet të dorëzojnë dorëheqjet e tyre deri sot, ose më së largu nesër, në rast se KQZ-ja nuk mban mbledhje sot.
Afati 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila do të thirret nga Presidentja e vendit, do të fillojë nga momenti i vendimit për certifikimin e rezultateve. Ky vendim, sipas ekspertëve, pritet të merret nesër.